Sport
Raheem Sterling dënohet me 12 muaj burg me kusht
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-futbollisti anglez Raheem Sterling është dënuar me 12 muaj burg me kusht, pas një episodi të drejtimit të rrezikshëm të automjetit në disa rrugë të Anglisë.
Sipas mediumit spanjoll “Marca”, 31-vjeçari nuk do të përfundojë në burg, pasi dënimi është pezulluar për një periudhë prej 18 muajsh.
Sterling, i cili ka luajtur për klube të njohura si Liverpool, Manchester City, Chelsea dhe Arsenal, u paraqit të mërkurën në Gjykatën e Magjistraturës në Basingstoke, ku u shpall vendimi për rastin që daton nga 28 maji i këtij viti.
Ish-reprezentuesi anglez kishte pranuar më herët fajësinë për drejtimin e rrezikshëm të Lamborghini-t të tij në autostradën M25, në rrugën M3, si dhe në disa segmente të tjera rrugore në Hampshire, përpara se të përfshihej në një aksident.
Përveç dënimit me burg të pezulluar, gjykata e obligoi Sterlingun të kryejë 100 orë punë në komunitet dhe ia ndaloi drejtimin e automjeteve për dy vjet.
Futbollisti pranoi gjithashtu posedimin e gjashtë bombolave me oksid azoti, substancë që në Mbretërinë e Bashkuar është e ndaluar të posedohet për qëllime të tilla, si dhe faktin se kishte refuzuar t'i jepte policisë një mostër.
Gjatë seancës gjyqësore, gjyqtarja Kirsty Allman e përshkroi Sterlingun si një person me reputacion të mirë, duke theksuar se karakteri i tij kishte qenë shembullor.
Sterling nuk reagoi gjatë shqiptimit të vendimit, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat angleze për shkak të emrit të njohur të futbollistit dhe rrethanave të ngjarjes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: