Aktuale
Raporti i auditimit për KOSTT: Udhëheqësia pranon mangësitë, kritika të ashpra për ndarjen e kontratave
Reklamë e Sponsorizuar
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka shprehur pajtueshmëri të plotë me të gjitha gjetjet e evidentuara në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2025. Ky qëndrim u bë i ditur gjatë shqyrtimit të raportit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku deputetët kërkuan angazhim maksimal për zbatimin e rekomandimeve të dala nga auditori.
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, konfirmoi se ndërmarrja tashmë ka hartuar një plan veprimi për tejkalimin e parregullsive. Një fokus i veçantë iu kushtua gjetjes A2, që ka të bëjë me trajtimin e provizioneve për çështje gjyqësore. Tërnava sqaroi se sfidat më të mëdha lidhen me proceset e shpronësimit për linjën e interkoneksionit 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri, duke theksuar se interpretimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të respektohen në përpikëri në të ardhmen.
Gjatë debatit, kryetari i Komisionit, Besian Mustafa, ngriti pikëpyetje mbi kredinë e marrë nga KfW, duke kërkuar sqarime nëse tarifat e menaxhmentit po paguhen nga taksapaguesit kosovarë pa filluar ende operimet. Tërnava sqaroi se këto pagesa janë pjesë e rregullave kontraktuale dhe ekzekutohen brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, proces ky që është ndjekur sipas rregullave të prokurimit të bankës gjermane.
Deputeti Mustafa shprehu shqetësim të thellë lidhur me menaxhimin e prokurimit, duke vënë në pah lidhjen e 72 kontratave gjatë vitit 2025 në vlerë totale prej 54 mijë eurosh, përmes procedurave të vlerës minimale. Ai kërkoi përgjigje nëse kjo fragmentarizim i furnizimeve është përdorur si një metodë për të anashkaluar pragjet ligjore të prokurimit publik.
Në përgjigje të këtyre akuzave, Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Gëzim Tosuni, deklaroi se bordi ka kërkuar sqarime të brendshme për këtë çështje. Ai nënvizoi se, ndonëse legjislacioni i prokurimit mund të jetë kufizues për nevojat operative të një ndërmarrjeje që menaxhon infrastrukturë kritike, raporti i auditorit nuk ka konstatuar keqpërdorime të fondeve, ndërsa premtoi qasje më të përgjegjshme në të ardhmen.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: