Kronikë
Vërehen në flagrancë dhe vihen në pranga dy persona për zjarrvënie në kryeqytet
Reklamë e Sponsorizuar
Policia e Shtetit ka neutralizuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar si autorë të zjarrvënieve të ndodhura së fundmi në zonën e Kombinatit dhe në fshatin Prush të Tiranës. Operacioni është zhvilluar në kuadër të masave të rrepta të vendosura nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve mjedisore.
Në pranga ka rënë shtetasi E. K., 49 vjeç, i cili akuzohet se i ka vënë zjarrin mbeturinave në sheshin “Garibaldi” në Kombinat. Gjatë ndërhyrjes, 49-vjeçari ka tentuar t'i shpëtojë policisë duke u arratisur, por është kapur menjëherë. Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën dhe i sekuestruan një mjet prerës (thikë). Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi po hetohet për veprat penale të vjedhjes dhe mbajtjes së armëve të ftohta.
Ndërkohë, rasti i dytë i përket shtetasit Sh. H., i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e pronës së tij në fshatin Prush. Si pasojë e daljes së flakëve jashtë kontrollit, zjarri është përhapur me shpejtësi në zonën përreth, duke dëmtuar sipërfaqe të tëra kodrinore, pemë frutore, bimësi të egër dhe pisha.
Të dyja dosjet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme mbi veprat penale të shkaktuara. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i bën thirrje edhe një herë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të heqin dorë nga praktikat e rrezikshme të djegies së mbeturinave apo hapësirave tokësore, veprime që përbëjnë rrezik serioz për jetën, shëndetin, mjedisin dhe pronën, krahas përgjegjësisë së rëndë penale që sjellin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: