Politikë
Sali Berisha paralajmëron ashpër Edi Ramën: Regjimi juaj ka ditët e numëruara, sovrani do të thotë fjalën e fundit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka drejtuar sërish akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se verdiktin përfundimtar për këtë qeverisje do ta japë vetëm populli. Gjatë një dalje publike, ai u bëri thirje strukturave opozitare dhe qytetarëve që të mos ndalin denoncimet, duke e etiketuar vendin si një narkoshtet.
Kreu i opozitës u ndal gjithashtu te problematikat ekonomike, duke veçuar rënien drastike të vlerës së lekut në raport me euron dhe dollarin, si dhe heshtjen e ekzekutivit për këtë krizë. Teksa ka komentuar tensionet dhe ndërhyrjet e policisë ndaj të rinjve gjatë protestave, Berisha paralajmëroi kryeministrin se qytetarët do t'i japin përgjigjen e merituar.
“Çfarë duhet të bëjmë ne? Ne duhet të luftojmë, të luftojmë dhe vetëm të luftojmë. Duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesit tonë kombëtar dhe të interesit tonë publik. Nuk duhet kurrë të hezitojmë dhe të heshtim.
Sot Shqipëria, sipas të gjitha të dhënave ndërkombëtare, është narkoshteti më i konsoliduar i planetit. Është më shumë narkoshtet, për sa i përket efektit të drogës në ekonomi, sesa Kolumbia, Brazili, Meksika dhe çdo shtet tjetër.
Por ky narkoshtet, që negocion për integrimin në BE dhe është anëtar i NATO-s, të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin. A mund të bëjmë edhe ne sikur nuk e shohim këtë? Historia do të na ndëshkonte. Do të ishte një tradhti e madhe ndaj interesit publik dhe interesit qytetar nëse ne do të heshtnim përballë narkoshtetit.
Sot leku, që vlen 50 për qind më pak se në vitin 2013 në raport me euron dhe dollarin, është monedha më e fortë e planetit, me distancë nga çdo monedhë tjetër. Kjo po e shkatërron në mënyrë progresive dhe të pandalshme ekonominë tonë.
A dëgjohet kund ndonjë fjalë për këtë, përveçse në audienca të kufizuara dhe nga gazetarët? Jo.
Atëherë, çfarë na mbetet ne? Na mbetet të ngremë edhe më shumë zërin. Na mbetet të mos rreshtim së denoncuari me të gjitha mundësitë tona, të bindur se këtij regjimi i kanë mbetur kohë të shkurtra.
Edhe njëherë i them Edi Ramës se i fundit do të flasë sovrani. Ndaj, thyej sa të duash kockat e të rinjve aty, por përgjigjen do ta marrësh ashtu siç e meriton”, u shpreh Berisha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: