Politikë
Skandali në Suharekë: Si u “amnua” nga inspektorët penthouse-i pa leje i vjehrrit të deputetes
Reklamë e Sponsorizuar
Në vend të shiritave të sigurisë, urdhrit për shembje apo kallëzimit penal, inspektorët e Komunës së Suharekës kishin zgjedhur një metodë tejet të çuditshme përballë një shkeljeje masive urbanistike: një këshillë miqësore me fjalë.
“Nuk ke bërë mirë që e ke ndërtuar edhe një kat” – ky ishte i vetëquajturi reagim i inspektorit të ndërtimit, Hafir Maliqaj, dhe drejtorit të Inspekcioneve, Agim Demiri, gjatë një kontrolli në objektin e investitorit Nuhi Bytyçi, në lagjen Slloxha të Suharekës.
Nuhi Bytyçi është vjehrri i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Albana Bytyçi, ndërsa qeverisja lokale e Suharekës drejtohet nga kryetari Bali Muharremaj, i cili po ashtu i takon të njëjtës subjekti politik.
Kjo deklaratë jozyrtare e zyrtarëve komunalë përbën detajin më domethënës në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, një dosje kjo që hedh dritë mbi skandalin urbanistik.
Sipas dosjes hetimore, më 8 qershor 2022, autoritetet komunale kishin dalë në terren për të inspektuar ndërtimin afarist-banesor. Në atë periudhë, objekti tashmë kishte marrë përmasat e një etazhiteti B+P+3, pra kishte një kat më shumë sesa lejonte leja e lëshuar më 28 prill 2022.
Përkundër faktit se katin e tretë e kishin parë nga afër, zyrtarët e inspektoratit refuzuan ta pasqyronin këtë shkelje në procesverbalin zyrtar të datës 15 qershor.
Në vend të kësaj, ata raportuan rrejshëm se ndërtimi po zhvillohej konform lejes ekzistuese (B+P+2), duke u mjaftuar vetëm me një vërejtje verbale ndaj familjarit të politikanes.
Ky veprim i fshehjes së gjendjes faktike i dha dritën jeshile investitorit që të vazhdonte punimet pa pengesa, duke finalizuar katin e tretë të tërhequr (penthouse) me sipërfaqe prej 324.34 metrash katrorë, si dhe shtesa të tjera të paligjshme në përdhese dhe katet paraprake.
Ekspertiza e kryer nga specialistët e arkitekturës dhe gjeodezisë gjatë hetimeve ka dëshmuar se Nuhi Bytyçi ka ngritur pa leje një sipërfaqe totale prej 730.67 metrash katrorë.
Në këtë hapësirë të tejkaluar përfshihen: 324.34 m² për katin e tretë (penthouse) bashkë me 99.36 m² shtesë me kulme të rrafshëta; 96.93 m² tejkalim në katin e parë dhe të dytë; si dhe 218.36 m² sipërfaqe shtesë në përdhese, e dedikuar për veprimtari tregtare.
Vlerësimet e tregut tregojnë se dobia pasurore e siguruar nga ky ndërtim ilegal kap shifrën e 716,512.50 eurove, ndërkohë që buxheti i Komunës së Suharekës është dëmtuar drejtpërdrejt përmes mospagimit të taksave përkatëse.
Çfarë kërkon Prokuroria?
Prokuroria Themelore në Prizren dyshon se zyrtarët komunalë kanë vepruar me dashje për t'i siguruar përfitim pasuror investitorit. Për këtë arsye, drejtori i Inspekcioneve, Agim Demiri, dhe inspektori Hafir Maliqaj po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në të njëjtën kohë, investitori Nuhi Bytyçi akuzohet për “Ndërtimi pa leje”, ndërsa Abdurrahim Hasani, në cilësinë e pronarit të kompanisë projektuese “Bashkimi Projekt”, akuzohet për “Punimet e kundërligjshme ndërtimore”.
Organi i akuzës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren që të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Lidhur me gjetjet e kësaj aktakuze, janë dërguar pyetje zyrtare në adresë të Komunës së Suharekës dhe deputetes Albana Bytyçi, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pasur asnjë përgjigje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: