Politikë
Samiti i Brukselit: Kosova në pritje të fondeve, ndërsa fqinjët përparojnë drejt integrimit
Reklamë e Sponsorizuar
Liderët e Bashkimit Evropian mblidhen sot në Bruksel në një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përderisa Kosova merr pjesë si i vetmi vend i rajonit pa statusin e kandidatit, karrigia e Serbisë do të mbetet e zbrazët. Për qindra mijëra qytetarë që jetojnë në diasporë, ky samit mbart peshë të veçantë: pritet të shihet nëse do të ketë lehtësime konkrete për transfertat bankare, shfuqizimin e tarifave roaming dhe zhbllokimin e fondeve nga Plani i Rritjes.
Agjenda e takimit parashikon mbërritjen e delegacioneve në orën 17:00, ndërsa seanca plenare do të nisë në orën 18:00. Konferenca për media është caktuar rreth orës 19:15. Takimi do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.
Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar ka konfirmuar mungesën e tij. Aleksandar Çupiq, ushtrues i detyrës së presidentit të Serbisë dhe kryetar i Kuvendit, deklaroi se nuk do të udhëtojë drejt Brukselit për shkak të agjendës së ngarkuar parlamentare. Burime brenda BE-së bëjnë me dije se Serbia mund të mos e mbështesë deklaratën përfundimtare të samitit, duke vazhduar kështu trendin e mungesës së konsensusit që ka karakterizuar takimet e mëparshme.
Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në radhë për të përfituar pagesa nga Plani i Rritjes. Për Kosovën, rruga drejt anëtarësimit mbetet sfiduese që nga aplikimi i 15 dhjetorit 2022, kryesisht për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, gjë që pengon statusin e kandidatit. Ndonëse masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë hequr që nga marsi i këtij viti, përfitimet financiare mbeten të kushtëzuara.
Në aspektin praktik, Kosova ka ratifikuar marrëveshjen për Planin e Rritjes më 13 shkurt, duke siguruar një pako totale prej 882,6 milionë eurosh deri në vitin 2027. Megjithatë, deri më tani është disburuar vetëm parafinancimi prej 61,8 milionë eurosh, ndërsa kërkesa për transhenë e radhës mbetet në fazën e vlerësimit nga Komisioni Evropian. Sa i përket integrimit financiar, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë tashmë pjesë e SEPA-s, ndërsa Kosova ka dorëzuar aplikimin zyrtar më 6 nëntor dhe është në pritje të vlerësimit.
Në lidhje me roamingun, negociatat kanë nisur këtë muaj, por heqja përfundimtare e tarifave kërkon që vendet të harmonizojnë legjislacionin e tyre me rregulloret evropiane. Këshilli i BE-së do të jetë instanca finale që do të vendosë për zgjerimin e kësaj zone.
Përtej çështjeve teknike, Brukseli mbetet i palëkundur në kushtëzimin e mbështetjes financiare me përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Qeveria e Kosovës po kërkon në këtë samit avancimin drejt statusit të kandidatit, duke insistuar po ashtu që Serbia të nënshkruajë marrëveshjet e vitit 2023 dhe të dorëzojë personat e përfshirë në ngjarjet e Banjskës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: