Politikë
Skandali Epstein trondit Norvegjinë: Kuvendi thërret në pyetje 11 ministra dhe ish-ministra për lidhjet e dyshimta
Reklamë e Sponsorizuar
Kuvendi i Norvegjisë ka hapur zyrtarisht një cikël seancash dëgjimore për të hetuar rrjetin e kontakteve mes financierit amerikan të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, dhe një sërë figurash të shquara të politikës e diplomacisë vendase.
Ky zhvillim vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e skanimit të miliona dosjeve të deklasifikuara në janar nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, të cilat hodhën dritë mbi shtrirjen e marrëdhënieve të Epstein me pushtetarë, anëtarë të familjeve mbretërore dhe elita globale.
Vala e re e hetimeve ka detyruar institucionet norvegjeze të reagojnë ashpër. Kreu i Komitetit të Auditimit dhe Çështjeve Kushtetuese, Jonas Andersen Sayed, theksoi domosdoshmërinë që ekzekutivi të japë llogari për hapat që po ndërmerr me qëllim rikthimin e besimit publik te diplomacia e vendit.
“Ka shumë njerëz që kanë treguar gjykim të dobët”, u shpreh Sayed, duke drejtuar gishtin nga zyrtarët që kishin kultivuar miqësi me financierin e ndjerë.
Në kuadër të këtyre hetimeve, komisioni parlamentar ka lëshuar thirrje zyrtare për 11 zyrtarë të lartë, përfshirë ministra aktualë dhe ish-krerë të dikastereve të Jashtme dhe të Zhvillimit. Mes tyre spikat emri i kryeministrit aktual, Jonas Gahr Støre, i cili ka mbajtur portofolin e ministrit të Jashtëm në periudhën 2005–2012, por që ka mohuar çdo lloj lidhjeje me Epstein.
Në listën e dëshmitarëve figuron gjithashtu Berge Brende, ish-shef i diplomacisë norvegjeze dhe ish-drejtues i Forumit Ekonomik Botëror, i cili u dorëhoq nga detyra pas daljes në pah të kontakteve të tij. Brende ka pranuar takimin me Epstein në vitin 2018, duke u shprehur i penduar që nuk kishte kryer verifikimet e nevojshme dhe se nuk e dinte të kaluarën e tij kriminale.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Zhvillimit Erik Solheim ka shprehur rezervat e tij ndaj procesit, duke e cilësuar hetimin parlamentar si një reagim të ekzagjeruar që mund të cënojë mbarëvajtjen e shërbimit diplomatik.
Ndërkohë, strukturat e rendit po hetojnë edhe disa personalyete të tjera të njohura për kontaktet e tyre me Epstein, ku bëjnë pjesë ish-kryeministri Thorbjørn Jagland, ish-ministri Terje Rød-Larsen dhe ish-diplomatja Mona Juul, të cilët kanë hedhur poshtë çdo pretendim për shkelje ligjore.
Rød-Larsen, i cili mori një kredi personale nga financieri, pati kërkuar falje publikisht për afërsinë e tij, ndërsa në vitin 2020 dha dorëheqjen nga pozita e drejtorit të Institutit Ndërkombëtar për Paqe në Nju Jork.
Edhe Princesha Mette-Marit, bashkëshortja e trashëgimtarit të fronit, princit Haakon, ka kërkuar falje për njohjen e saj me Epstein, ndonëse ajo nuk është përfshirë në listën e personave që do të dëshmojnë para parlamentit.
Për t'i dhënë sa më shumë legjitimitet dhe profesionalizëm procesit, Kuvendi ka themeluar një komitet të posaçëm me ekspertë të fushës akademike dhe juridike. Ky trup do të analizojë të gjitha të dhënat e dala nga dosjet e Epstein dhe do të hartojë rekomandime për të garantuar integritet dhe transparencë më të madhe institucionale.
Ky proces hetimor do të përfshijë një periudhë prej më shumë se tri dekadash të diplomacisë norvegjeze dhe pritet të finalizohet me një raport zyrtar në fillim të vitit 2028.
Sipas të dhënave arkivore, ky është vetëm rasti i nëntë në 140 vitet e fundit që parlamenti norvegjez ndërmerr hapin e krijimit të një komisioni të tillë të posaçëm hetimor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: