Kronikë
Operacioni “Shitblerja” në Elbasan: Sekuestrohen drogë, armë dhe para, vihen në hetim tre persona
Reklamë e Sponsorizuar
Strukturat e Policisë në Elbasan kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shitblerja”, duke goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe duke shpallur në kërkim një 40-vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë janë vënë nën hetim. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan mbi 1 kilogram kanabis, një armë gjahu dhe shuma parash.
Në kuadër të kontrolleve të ushtruara në banesën e shtetasit K. N., 40 vjeç, banues në Elbasan, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, zbuluan dhe sekuestruan 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Një pjesë e kësaj sasie ishte e ndarë tashmë në doza të gatshme për shitje, ndërsa në vendngjarje u gjet edhe një peshore elektronike.
Gjatë kontrollit të ambienteve, efektivët sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një armë gjahu, që dyshohet se mbahej pa leje, si dhe 71 700 lekë dhe 100 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i shitjes së lëndës narkotike. I dyshuari nuk ndodhej në banesë gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, si pjesë e të njëjtit operacion, janë vënë nën hetim edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se ishin përfshirë në blerjen e lëndës narkotike. Bëhet fjalë për shtetasit B. D., 37 vjeç, dhe A. S., 20 vjeç, të dy banues në Elbasan.
37-vjeçari B. D. u kap nga policia pranë banesës së 40-vjeçarit të shpallur në kërkim, ku dyshohet se kishte shkuar për të siguruar doza droge. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, efektivët i gjetën dhe i sekuestruan një armë të ftohtë (thikë). Nga ana tjetër, në afërsi të së njëjtës zonë u ndalua edhe 20-vjeçari A. S., të cilit iu sekuestrua një sasi lënde narkotike që dyshohet se sapo e kishte blerë nga K. N.
Operacioni “Shitblerja” u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë, si pjesë e masave të vazhdueshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve në fushën e narkotikëve. Materialet procedurale i janë përcjellë tashmë organit të akuzës për veprime të mëtejshme ligjore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: