Politikë
Berlini aktivizon skenarët e emergjencës përballë frikës së largimit të trupave amerikane
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ka ndërmarrë hapa konkretë për të shqyrtuar skenarët se si Berlini dhe aleatët e tjerë evropianë do të menaxhonin një zvogëlim të mundshëm të kontingjentit ushtarak amerikan në kontinentin tonë.
Krerët më të lartë të mbrojtjes gjermane kanë caktuar një takim për të martën, ku në fokus do të jetë gjetja e zgjidhjeve për të mbuluar çdo boshllëk të lënë nga një tërheqje e mundshme e SHBA-së, si dhe harmonizimi i strategjisë politike që do të ndjekë qeveria.
Këto lëvizje vijnë në një kohë kur Uashingtoni po shkon drejt një vendimmarrjeje kyçe për strukturën e tij ushtarake në Evropë. Administrata e Presidentit Donald Trump këmbëngul që shtetet evropiane të investojnë më shumë në sigurinë e tyre, por një qasje e tillë ka ngritur alarmin se largimi i trupave mund të krijojë hapësira të rrezikshme për aftësitë parandaluese të NATO-s kundër Rusisë.
Për Gjermaninë, kjo situatë përbën një sfidë madhore, pasi ajo strehon afërsisht 35,000 trupa amerikane – numri më i lartë në Evropë – dhe varet ndjeshëm nga kapacitetet e tyre ushtarake, të cilat nuk mund të zëvendësohen lehtësisht brenda një kohe të shkurtër.
Në qershor, Pentagoni nisi një proces rishikimi të dislokimeve ushtarake në Evropë, duke analizuar se cilat baza duhet të mbahen dhe ku mund të ketë shkurtime apo zhvendosje. Elbridge Colby, drejtuesi i politikave në Pentagon, ka deklaruar më herët synimin e tij që ky proces të finalizohet deri më 1 dhjetor.
Dokumentet e brendshme të qeverisë gjermane dëshmojnë se Berlini po përgatitet për skenarin më të keq, ndërkohë që përpiqet të ushtrojë ndikim mbi vendimin përfundimtar të Uashingtonit.
Gjatë takimit të sotëm, ku marrin pjesë figura kryesore politike dhe ushtarake të dikasterit të mbrojtjes, do të diskutohen hollësisht “masat e mundshme zbutëse në nivel kombëtar dhe evropian” pas një vendimi të tillë nga ana amerikane.
Gjithashtu, autoritetet do të koordinojnë qasjen se si ky zhvillim do t'i komunikohet opinionit publik, parlamentit, aleancës së NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ky takim shërben edhe si përgatitje për vizitën që sekretari i shtetit në ministrinë gjermane të mbrojtjes, Nils Hilmer, do t'i bëjë Shteteve e Bashkuara në periudhën 1-5 dhjetor.
Gjatë kësaj vizite, Hilmer planifikon të zhvillojë takime me Elbridge Colby dhe Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Steve Feinberg. Zyrtarët në Gjermani synojnë të kuptojnë konkluzionet e Pentagonit, të paraqesin argumentet e Berlinit dhe, nëse krijohet mundësia, të ndikojnë në vendimin final.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: