Botë
Zelensky refuzon me ironi ofertën e Lukashenkos për bisedime në Moskë: “Nuk jam valixhe që të më marrësh me vete”
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë me dozë të fortë ironie ftesën e homologut të tij bjellorus, Alexander Lukashenko, i cili u vetëofrua ta shoqëronte udhëheqësin ukrainas drejt Moskës për negociata me Vladimir Putin, duke i garantuar mbrojtjen personale.
Gjatë reagimit të tij, Zelensky nëvizoi se zhvillimi i takimeve diplomatike në kryeqytetin rus apo në atë ukrainas është i pamundur për sa kohë dy vendet ndodhen në gjendje luftë. Ai e cilësoi idenë e Lukashenkos si tërësisht joserioze për situatën aktuale.
“Propozon të më marrë me vete. Çfarë jam unë për të, një valixhe? Të më fusë në një avion dhe të fluturojmë? Kjo nuk është një bisedë serioze”, deklaroi prerazi kreu i shtetit ukrainas.
Më tej, Zelensky u përgjigj me të njëjtën gjuhë ironike, duke i sugjeruar presidentit të Bjellorusisë që më mirë të marrë udhëheqësin rus dhe të fluturojnë së bashku drejt Kievit, ku pala ukrainase do t'u garantonte mbrojtjen e nevojshme.
“Ai mund ta marrë Putinin dhe të fluturojnë së bashku drejt Kievit. Edhe ne do t’ua garantojmë sigurinë këtu. Jemi në luftë. Nuk mund të takohemi në Moskë apo në Kiev, të gjithë e kuptojmë shumë mirë këtë. Kur dikush thotë diçka të tillë, thjesht nuk bëhet fjalë për një bisedë serioze. Ky person nuk na afron drejt përfundimit të luftës”, shtoi Zelensky.
Reagimi i ashpër i Kievit erdhi pasi më herët gjatë ditës, lideri bjellorus kishte shprehur publikisht gatishmërinë për të shërbyer si garantues i mbrojtjes për Zelenskyn gjatë një udhëtimi të mundshëm drejt kryeqytetit rus. Lukashenko kishte deklaruar: “Ne të dy. Mund ta shoqëroja në Moskë si garantues i sigurisë së tij e kështu me radhë. Mund të hipja bashkë me të në një avion dhe të fluturonim drejt Moskës.”
Kjo përplasje verbale konfirmon se përcaktimi i një vendi neutral për bisedimet e mundshme të paqes mbetet një nga pikat më problemotike, me Kievin zyrtar që refuzon kategorikisht çdo mundësi negociatash në tokën ruse për sa kohë që armiqësitë vazhdojnë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: