Politikë
Testi i jurisprudencës në gjuhën shqipe përplas BDI-në dhe VLEN-in: Ahmeti letër Ministrisë së Drejtësisë, Kasami e akuzon për hipokrizi
Reklamë e Sponsorizuar
Dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është bërë shkak për një tjetër përplasje të ashpër politike midis dy taborëve kryesorë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit VLEN.
Përmes një letre të hapur drejtuar ministrit të Drejtësisë nga radhët e VLEN-it, Jeton Shasivari, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke bërë thirrje që ky test t'ju mundësohet kandidatëve edhe në gjuhën amtare.
Në argumentimin e tij, Ahmeti nënvizon se kuadri ligjor i miratuar në vitin 2019 e rregullon qartë këtë të drejtë dhe ka fuqi më të lartë juridike se normat e tjera, gjë që duhet të zbatohet edhe nga Komisioni për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës pranë dikasterit të Drejtësisë. Ai shtoi se zotërimi i gjuhës maqedonase mund të dëshmohet me një certifikatë të posaçme gjuhësore dhe nuk duhet të përdoret si pengesë.
"Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje e vullnetit të një ministri", ka shkruar Ahmeti në letrën e tij, duke hedhur poshtë pretendimet e disa drejtuesve të VLEN-it se gjuha e vetme e procedurave gjyqësore është maqedonishtja.
Nga ana tjetër, gjatë një interviste në emisionin "Verdict" në televizionin TVM2, bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Bilall Kasami, u shpreh se gjuha shqipe ende nuk gëzon status të plotë zyrtar në Kushtetutën e vendit, duke spjeguar se ligji ekzistues vetëm sa rrit hapësirën e përdorimit të saj në sektorë të caktuar.
Kasami nënvizoi se deputetët e VLEN-it e kanë mbështetur këtë akt ligjor, por e quajti dyfytyrësh qëndrimin e BDI-së. Sipas tij, po të kishte pasur vullnet nga BDI-ja gjatë periudhës që ishte në pushtet për ta sanksionuar shqipen në Kushtetutë, sot zhvillimi i provimit në gjuhën shqipe nuk do të përballej me asnjë problem.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë e ka hedhur poshtë më parë kërkesën e qindra studentëve të drejtësisë, me arsyetimin se ky provim shërben gjithashtu si mjet për të verifikuar njohjen e gjuhës maqedonase. Nga ana tjetër, të rinjtë e diplomuar kanë paralajmëruar rikthim në protesta nëse ky ngërç nuk merr zgjidhje.
Ky debat ka shkaktuar dridhje edhe brenda vetë koalicionit në pushtet. Kryetari i lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, ka kërcënuar me braktisjen e Qeverisë në rast se lejohet zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në rrafshin e aktiviteteve të tjera, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pritet të udhëtojë këtë periudhë drejt Zvicrës, ku më 28 Nëntor ka planifikuar takime me bashkatdhetarët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: