Politikë
Dy dekada pushteti, një e drejtë e mohuar – dështimi historik i BDI-së për provimin e jurisprudencës në shqip, Shasivari drejt zgjidhjes!
Reklamë e Sponsorizuar
Ali Ahmeti, përpara se ta kritikojë dhe t’i dërgojë letër ministrit aktual të Drejtësisë, Jeton Shasivari, do të ishte më e udhës t’u kërkonte llogari ministrave të Drejtësisë që BDI-ja pati gjatë dy dekadave të pjesëmarrjes në pushtet.
Çfarë bënë ata gjatë mandateve të tyre për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë? Përse nuk e mundësuan dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, kur kishin në dispozicion mekanizmat politikë, juridikë dhe institucionalë?
Dy dekada janë më se të mjaftueshme për realizimin e një të drejte të tillë. Zvarritja e vazhdueshme e kësaj çështjeje, e shoqëruar me premtime politike, për mendimin tim, përbën një tallje me aspiratat dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Është paradoks politik që sot pikërisht ata që kishin mundësinë ta zgjidhnin këtë çështje kërkojnë llogari nga ministri që po angazhohet për zgjidhjen e saj.
Jeton Shasivari ka zgjedhur një qasje tjetër, të mbështetur mbi fakte, pragmatizëm juridik dhe në koherencë me diplomacinë institucionale. Ai niset nga parimet universale të barazisë juridike dhe standardet evropiane drejt zgjidhjes së një problemi konkret: mundësimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Edhe pse projektligji ndodhet në shqyrtim nga Komisioni i Venecias, jam shumë optimist se do të marrë një vlerësim pozitiv. Shqyrtimi ndërkombëtar nuk duhet interpretuar si dobësi apo pengesë, por si mundësi për forcimin e argumentimit juridik dhe të qëndrueshmërisë institucionale të kësaj nisme.
Sensibilizimi paraprak i faktorit ndërkombëtar dëshmon një qasje strategjike, që synon krijimin e mbështetjes profesionale për një zgjidhje afatgjatë dhe zvogëlimin e hapësirës për kontestime të mëvonshme juridike e politike.
Megjithëse opinionet e Komisionit të Venecias kanë karakter këshillimor, një vlerësim pozitiv do të përbënte një argument të fuqishëm juridik dhe institucional në favor të kësaj nisme.
Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është koncesion politik, privilegj etnik apo dhuratë partiake. Është çështje e barazisë juridike, dinjitetit kombëtar dhe mundësive të barabarta profesionale.
Ali Ahmeti duhet ta kuptojë se përgjegjësia politike matet me rezultatet e arritura gjatë ushtrimit të pushtetit dhe jo me kërkesat e parashtruara pas humbjes së tij.
Dy dekada pushtet nuk mund të justifikohen me retorikë opozitare!
Ajo që nuk u realizua gjatë dy dekadave, Jeton Shasivari po synon ta shndërrojë në një të drejtë juridike të garantuar dhe të mbështetur në standardet evropiane.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet populizmit partiak dhe pragmatizmit institucional, ndërmjet politikës së premtimeve dhe politikës së rezultateve, ndërmjet konsumimit të pushtetit dhe ushtrimit të përgjegjësisë shtetërore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: