Botë
Afro 500 mijë ushtarë rusë të v*rarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, zbulohen të dhënat sekrete të Moskës
Reklamë e Sponsorizuar
Të paktën 490 mijë e 334 ushtarë rusë kanë humbur jetën që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kjo shifër del nga një analizë e BBC-së, e bazuar në të dhënat e rrjedhura të agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat.
Sipas BBC-së, gazetarët kanë siguruar qasje në më shumë se 11 milionë regjistrime të vdekjeve, që përfshijnë periudhën nga viti 2021 deri në shtator të vitit 2026. Të dhënat u zbuluan pas një sulmi kibernetik të kryer nga grupi bjellorus Cyber Partisans BY dhe ai ukrainas Silent Crow.
Në bashkëpunim me median e pavarur ruse Mediazona, BBC krahasoi këto regjistrime me listën e saj të ushtarëve rusë të vrarë, të dokumentuar përmes burimeve të hapura. Analiza gjeti përputhje në 90 për qind të rasteve.
Të dhënat tregojnë përmasat e mëdha të humbjeve njerëzore që ka shkaktuar lufta, veçanërisht te të rinjtë. Gjatë vitit 2025, 65 për qind e rusëve të moshës 18 deri në 24 vjeç që humbën jetën u vranë në luftë. E njëjta gjë vlen për 59 për qind të grupmoshës 25 deri në 34 vjeç.
Humbjet janë veçanërisht të mëdha edhe në disa nga rajonet më të varfra të Rusisë. Sipas analizës, burrat nga Tyva, Buryatia dhe Zabaykalsky Krai kanë 20 deri në 25 herë më shumë gjasa të vriten në luftë sesa banorët e Moskës dhe Shën Petersburgut.
Një tjetër e dhënë tronditëse lidhet me betejat për disa vendbanime ukrainase. Rreth 20 mijë ushtarë rusë u vranë gjatë luftimeve për kontrollin e vetëm 10 fshatrave, të cilat para luftës kishin gjithsej 12 mijë banorë. Vetëm në betejën për fshatin Andriivka, pranë Bakhmutit, humbën jetën 1 mijë e 122 ushtarë rusë, ndonëse para luftës aty jetonin vetëm 74 persona.
BBC ka dokumentuar në mënyrë të pavarur 290 mijë e 12 vdekje të ushtarëve rusë, përmes njoftimeve zyrtare, rrjeteve sociale, memorialeve dhe varreve. Megjithatë, ekspertët ushtarakë vlerësojnë se kjo listë mund të përfaqësojë vetëm 45 deri në 55 për qind të humbjeve reale, duke e çuar numrin e mundshëm të ushtarëve rusë të vrarë në 527 mijë deri në 644 mijë.
Analiza ka identifikuar gjithashtu të paktën 5 mijë e 17 shtetas të huaj të vrarë duke luftuar për Rusinë, përfshirë 1 mijë e 31 uzbekë dhe 720 taxhikë. Ndërkaq, BBC ka identifikuar edhe 2 mijë e 304 ushtarë koreano-veriorë të vrarë gjatë luftimeve në territorin rus, në vitin 2024.
Rusia nuk ka publikuar shifra zyrtare për humbjet ushtarake që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ndërsa dy vjet më parë agjencia Rosstat ndaloi publikimin e të dhënave për vdekjet nga shkaqe të jashtme.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte deklaruar në korrik të vitit 2026 se vendi i tij kishte humbur rreth 50 mijë ushtarë. Megjithatë, një listë e pavarur e bazuar në burime të hapura, e publikuar nga platforma UA Losses, vlerëson se numri i ushtarëve ukrainas të vrarë arrin në 115 mijë e 952.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: