Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Raporti: Gratë shqiptare punojnë mbi 5 orë në ditë pa pagesë, burrat vetëm 50 minuta

Redaksia Lajmetereja • 25-11-2026 07:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Raporti: Gratë shqiptare punojnë mbi 5 orë në ditë pa pagesë, burrat vetëm 50 minuta
Mbi pesë orë çdo ditë të shpenzuara për gatimin, pastrimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve e familjarëve, pa asnjë shpërblim financiar. Kjo është mesatarja e punës së papaguar të grave në Shqipëri, ndërsa burrat u kushtojnë të njëjtave përgjegjësi vetëm rreth 50 minuta në ditë. Raporti i UN Women, “Vlerësimi i punës së kujdesit: Përafrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian”, i publikuar në vitin 2026, evidenton se gratë shqiptare i kushtojnë 21.74% të kohës së tyre ditore punës së papaguar, kundrejt vetëm 3.47% të burrave. Diferenca është më shumë se gjashtëfish, duke reflektuar një shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive familjare, me pasoja të drejtpërdrejta në pjesëmarrjen në tregun e punës, të ardhurat dhe mundësitë për zhvillim profesional. Në vitin 2024, 30.7% e grave ishin jashtë tregut të punës, krahasuar me 17.7% të burrave. Mes personave joaktivë në tregun e punës, një në katër gra raportonte punët e shtëpisë si përgjegjësinë kryesore, kundrejt më pak se 1% të burrave. Pabarazia nuk kufizohet vetëm te gratë që nuk punojnë. Edhe për ato që janë të punësuara, angazhimi i lartë në punët e shtëpisë dhe kujdesin familjar kufizon kohën në dispozicion për zhvillim profesional, avancim në karrierë dhe angazhim në aktivitete të tjera ekonomike. Në një treg pune që përballet me tkurrjen e fuqisë punëtore, përgjegjësitë e papaguara familjare përbëjnë një pengesë për shfrytëzimin e plotë të kapitalit njerëzor në vend. Një kontribut ekonomik ende i pamatur Megjithëse puna e papaguar mundëson funksionimin e familjeve dhe mbështet aktivitetin ekonomik të anëtarëve të tjerë të tyre, vlera monetare e saj mbetet kryesisht e padukshme në statistikat ekonomike. Shqipëria nuk ka ende një strategji gjithëpërfshirëse për ekonominë e kujdesit, ndërsa politikat që lidhen me këtë sektor janë të shpërndara në dokumente dhe ligje të ndryshme, citohet nw raport. Një zhvillim i rëndësishëm është miratimi i ligjit nr. 64/2025 për Barazinë Gjinore, i cili njeh zyrtarisht punën e papaguar si kontribut në zhvillimin e shoqërisë dhe familjes. Ligji parashikon gjithashtu promovimin e orareve fleksibël, punës me kohë të reduktuar dhe punës në distancë për të lehtësuar balancën ndërmjet jetës profesionale dhe asaj familjare. Megjithatë, sipas UN Women, zbatimi efektiv i këtyre dispozitave kërkon ndryshime të mëtejshme ligjore dhe miratimin e akteve nënligjore. Raporti nënvizon se investimet në shërbimet publike të kujdesit, veçanërisht në çerdhe, kopshte dhe shërbime për të moshuarit, mund të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe, për rrjedhojë, në zhvillimin ekonomik të vendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar