Politikë
Bojkot në Komisionin për Legjislacion: PDK braktis mbledhjen pas mosfutjes në rend dite të projektligjit për Specialen
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni për Legjislacion është përfshirë nga tensionet dhe bojkotimi, pasi nisma e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk u përfshi fare në rendin e ditës. Ky veprim ka shtyrë deputetët e kësaj force politike të largohen nga salla, duke e cilësuar situatën si një shfaqje të mungesës së seriozitetit institucional.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka quajtur të papranueshme anashkalimin e kësaj çështjeje, të cilën ajo e vlerëson si pikën më madhore që duhet të jetë në fokus të Komisionit. Sipas saj, në kushtet aktuale nuk mund të krijohet një imazh i rremë i normalitetit parlamentar.
“Është tërësisht joserioze që të ftohet Komisioni për Legjislacion, të trajtojmë sot gjashtë pika të rendit të ditës e të mos jetë në shqyrtim ligji për Dhomat e Specializuara. PDK-ja konsideron që në këto rrethana nuk ka prioritet më të madh dhe nuk mund të simulojnë normalitet sot në këtë komision. Ne, bashkë me zotin Gruda, nuk do të qëndrojmë në mbledhjen e Komisionit, sepse, e thashë, është joserioze kjo qasje”, u shpreh Deliu-Kodra.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe anëtari tjetër i PDK-së në këtë trupë parlamentare, Përparim Gruda, i cili ka lëshuar akuza të ashpra ndaj institucionit të drejtësisë në Hagë, duke theksuar se nuk do të lejohet njollosja e eposit historik të Kosovës.
“Ne nuk mund të lejojmë ata tre-katër gjyqtarë atje në Hagë me na përly historinë”, deklaroi Gruda.
Ky qëndrim ka gjetur mbështetje edhe nga radhët e opozitës, konkretisht nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Në krahun tjetër, përfaqësuesi i pushtetit në këtë komision, Adnan Rrustemi, është arsyetuar se puna po zhvillohet konform afateve ligjore dhe se aktualisht po pritet zyrtarisht qëndrimi i Qeverisë lidhur me këtë çështje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: