Sport
Zvicra – Austria, para një numri rekord tifozësh
Reklamë e Sponsorizuar
Zvicra në futbollin e femrave është në garë për një vend në Kampionatin Botëror.
Fillimisht duhet ta mposhtë Austrinë, por edhe kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të siguruar kualifikimin. Drejtoresha e kombëtares, Marion Daube, shprehet optimiste.
Grumbullimi i vashave zvicerane, i nisur të martën, është i fundit për këtë vit dhe njëkohësisht tejet i rëndësishëm.
Në raundin e dytë të ndeshjeve të plejofit, Zvicra do të përballet me fqinjen Austrinë, në garën për një vend në fazën finale të Kampionatit Botëror të vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Brazil, raporton televizion zviceran “SRF”.
Më 1 dhjetor, zviceranet do të zhvillojnë ndeshjen e parë në Bernë, ku synojnë të krijojnë një epërsi të mirë para ndeshjes së kthimit.
Kualifikimi në Botëror, që do të ishte pjesëmarrja e tretë e Zvicrës pas edicioneve të viteve 2015 dhe 2023, do t'i jepte një shtysë të rëndësishme futbollit të femrave në këtë vend, në disa aspekte.
Marion Daube, thekson rëndësinë e këtij kualifikimi:“Ky kualifikim është shumë i rëndësishëm. Jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe për dukshmërinë dhe promovimin e futbollit të femrave, si dhe për gjithçka që kemi ndërtuar përmes Kampionatit Evropian”.
Edhe aspekti financiar nuk duhet nënvlerësuar. Para tri vjetësh, në Botërorin e zhvilluar në Australi dhe Zelandë të Re, shpërblimet financiare ishin të mjaftueshme vetëm sa për t'u mundësuar për herë të parë përfaqësueseve pjesëmarrëse që ta mbyllnin një Kampionat Botëror pa humbje financiare.
Në Botërorin që do të zhvillohet në Brazil, fondi i shpërblimeve është më i madh. Daube pret që përfitimet financiare të jenë dyfish më të larta krahasuar me vitin 2023.
Zvicra do të përballet me Austrinë për një vend në Kampionatin Botëror të vitit 2027 në Brazil. Të dyja ndeshjet do të transmetohen drejtpërdrejt në SRF.
Ndeshja e parë në Bernë: 1 dhjetor, nga ora 19.00, në SRF zwei.
Ndeshja e kthimit në Vjenë: 5 dhjetor, nga ora 15:55, në SRF info.
Megjithatë, është ende herët për të rezervuar biletat e udhëtimit drejt Brazilit. Austria është një kundërshtare e nivelit të ngjashëm me Zvicrën.
Në renditjen botërore të FIFA-s, të dyja përfaqësueset janë shumë pranë njëra-tjetrës: Austria renditet në vendin e 25-të, ndërsa Zvicra në të 26-tin.
Daube e vlerëson këtë përballje si një duel të barabartë, por megjithatë shprehet e bindur për suksesin e përfaqësueses zvicerane.
Një ndihmë e rëndësishme në hapin e parë drejt kualifikimit pritet të jetë edhe mbështetja e tifozëve. Në stadiumin Wankdorf të Bernës pritet të shënohet një rekord i ri i shikueshmërisë, duke përjashtuar ndeshjet e zhvilluara gjatë Kampionatit Evropian që u organizua në Zvicër.
Për ndeshjen që do të zhvillohet pas një jave janë shitur tashmë afro 20 mijë bileta. Rekordi i mëparshëm ishte 17.306 shikues, i regjistruar në ndeshjen miqësore kundër Gjermanisë, në nëntor të vitit 2024, në stadiumin Letzigrund të Cyrihut, kur Zvicra pësoi humbje 0:6.
Kualifikimi në Botëror – një rrugë e ndërlikuar
Edhe nëse Zvicra e eliminon Austrinë pas dy ndeshjeve, në Bernë dhe Vjenë (5 dhjetor), kjo nuk do të thotë se e ka siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e Brazilit.
Vetëm shtatë nga tetë fitueset e raundit të dytë të plejofit do të sigurojnë drejtpërdrejt një vend në fazën finale të Kampionatit Botëror. Një përfaqësuese tjetër do të duhet të kërkojë kualifikimin përmes plejofit ndërkontinental, i cili do të zhvillohet në shkurt të vitit të ardhshëm.
Ky skenar është mjaft i mundshëm edhe për Zvicrën.
Nëse të gjitha përballjet e tjera të plejofit përfundojnë sipas parashikimeve, Zvicra do të detyrohet të luajë në raundin shtesë. Kjo për faktin se ajo do të ishte fituesja me renditjen më të ulët ndër përfaqësueset evropiane që kalojnë plejofin.
Kjo renditje përcaktohet në bazë të rezultateve të Ligës së Kombeve.
Kombëtaret që renditen pas Zvicrës konsiderohen favorite në përballjet e tyre: Finlanda kundër Italisë,
Portugalia kundër Islandës, Uellsi kundër Norvegjisë dhe Skocia kundër Suedisë.
Megjithatë, Portugalia shihet si kombëtare që ka më së shumti gjasa të shkaktojë befasi.
Në edicionet e fundit, plejofi ndërkontinental është zhvilluar në vendin organizator të Kampionatit Botëror. Por ende nuk dihet nëse kështu do të jetë edhe këtë herë.
“Vendi ku do të zhvillohet ende nuk është bërë i ditur, prandaj ndoshta kjo çështje është ende në diskutim”,ka thënë Daube.
Zvicra nuk do ta kishte aspak problem nëse në këtë rast do të shmangte një udhëtim të gjatë përtej Atlantikut, sidomos pasi në atë periudhë në kalendar është edhe Liga e Kombeve.
Megjithatë, një gjë është e qartë, kombëtarja zvicerane do të preferonte të udhëtonte dy herë drejt Brazilit sesa të mos kualifikohej fare në Kampionatin Botëror.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: