Politikë
ATK-ja shton kontrollet ndaj bizneseve që shesin online, shqipton 24 gjoba
Reklamë e Sponsorizuar
Administrata Tatimore e Kosovës ka shtuar kontrollet ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare përmes platformave online dhe shërbimeve postare. Nga rreth 60 vizita dhe inspektime në terren, janë evidentuar 51 raste me parregullsi tatimore dhe janë shqiptuar 24 gjoba.
Sipas njoftimit të ATK-së, parregullsitë e evidentuara përfshijnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, mosdeklarimin e punëtorëve dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.
Nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA.
ATK-ja ka bërë të ditur se kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, me qëllim të mbikëqyrjes së bizneseve që shesin përmes internetit dhe formalizimit të këtij sektori.
Sipas Administratës Tatimore, pavarësisht rritjes së numrit të bizneseve të regjistruara, tregu vazhdon të ketë subjekte që ushtrojnë veprimtari ekonomike përmes rrjeteve sociale dhe platformave online pa i përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe tatimore.
“Rikujtojmë se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht mënyrës se si e zhvillon atë, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Shitja përmes internetit apo shpërndarja e produkteve përmes shërbimeve postare nuk përbën përjashtim nga këto obligime”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Administrata Tatimore ka paralajmëruar se kontrollet ndaj këtij sektori do të vazhdojnë, në kuadër të luftimit të ekonomisë joformale dhe garantimit të konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve.
“Formalizimi i veprimtarisë ekonomike dhe përmbushja e obligimeve tatimore janë detyrim ligjor për secilin që ushtron aktivitet ekonomik në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: