Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kërçeli akuzon KEDS-in: Qytetarët paguajnë investimet, ndërsa kompania i regjistron si pronë të vjetër

Redaksia Lajmetereja • 24-11-2026 11:23
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kërçeli akuzon KEDS-in: Qytetarët paguajnë investimet, ndërsa kompania i regjistron si pronë të vjetër
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si po menaxhohen dhe regjistrohen asetet e KEDS-it, të cilat në realitet po financohen drejtpërdrejt nga xhepat e qytetarëve. Gjatë seancës dëgjimore të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Kërçeli ka kërkuar llogari nëse investimet e bëra nga qytetarët për instalimin e fermave solare, përfshirë blerjen e transformatorëve, po figurojnë gabimisht si pronë e KEDS-it në raportimet zyrtare drejtuar ZRRE-së. “A jeni në dijeni se ata që dëshirojnë me vendos ferma solare, ata (qytetarët) e paguajnë trafon dhe KEDS-i e fut si aset të vetin, e këtë aset ua raporton juve (ZRRE) 200 milionë, e ka paguar qytetari i Kosovës. Për këtë a jeni në dijeni?”, pyeti Kërçeli. Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, u shpreh se i duhet hapësirë kohore për të ofruar një sqarim të detajuar rreth kësaj çështjeje. “Ndoshta më vynë kohë pak më shumë për këtë”, u shpreh shkurt Gojani gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi. Në vijim të raportimit para këtij komisioni, kryesuesi i ZRRE-së bëri të ditur planet e institucionit që ai drejton, duke paralajmëruar se për vitin 2027 synohet finalizimi i një raporti të dedikuar auditimi. “Në për vitin 2027 kemi paraparë që në kuadër të shpenzimeve operative, thjesht auditimi i investimeve, do të bëjmë përpjekje që të kemi një raport të auditimit”, tha ai. Po ashtu, Gojani bëri të ditur se është parashikuar edhe themelimi i një departamenti të ri për monitorim. “Parashhim që në të ardhmen si pjesë si një prej departamenteve, të jetë edhe ai i monitorimit. Në atë kuadër ne shpresojmë të kemi edhe monitorimin e kodeve aktuale, teknike. Monitorimi i stanadeve të cilësisë dhe i inkasimeve me dy operatorë, KEDS dhe KESCO”, tha ai. Gjatë diskutimit për humbjet në rrjet, Gojani theksoi se shifra e lejuar aktualisht është 14.28 për qind. “Humbjet e lejuara janë 14.28 për qind… Cka është nën 14.28 për qind janë pjesë që mbulohen në tarifë, më shumë nuk mbulohet. Këtu është afërisht vlera 0.7 për qind që nuk mbulohet në tarifë, nuk hynë si pjesë e të ardhurave të lejuara… Është një nxitje për operatorët, si për operatorin e sitemit të transmetimit si të shpërndarjes, se nëse ai mbërrin me i pasë humbjet më të ulëta se 14.28 për qind kuptohet se është një nxitje që ato i ka të ardhura shtesë”, tha ai. I pyetur nga njëri prej anëtarëve të komisionit nëse kjo barrë financiare u faturohet qytetarëve nga ana e kompanisë, ai sqaroi se vlera deri në kufirin prej 14.28 për qind llogaritet si pjesë e të ardhurave të lejuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar