Politikë
Përplasje në Komisionin për Shëndetësi: Opozita kërkon llogari nga SHSKUK për listat e pritjes, pozita mbron investimet
Reklamë e Sponsorizuar
Çështja e listave të pritjes në institucionet shëndetësore ka sjellë debate të ashpra mes opozitës dhe pozitës gjatë mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi. Ndërsa deputetët e opozitës kanë kërkuar praninë e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) për të dhënë llogari, ata të pushtetit kanë vënë në pah investimet dhe donacionet e realizuara në aparaturë mjekësore.
Gjatë shqyrtimit të raportit me shkrim të Bordit të SHSKUK-së – i cili përfshin listat e pritjes në kujdesin dytësor dhe tretësor, furnizimin me barna nga lista esenciale për vitin 2026, si dhe pajisjet medicinale – u diskutuan edhe sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka ngritur shqetësimin e saj lidhur me numrin e lartë të qytetarëve që ende presin për trajtim mjekësor, duke theksuar se statistikat zyrtare nuk tregojnë ndonjë përmirësim të qëndrueshëm.
“Nëse e shohim raportin, shifrat që kemi nuk flasin për përmirësim të qëndrueshëm dhe kushdo që lexon statistikat e sheh që mbase në vitin 2023 kur kanë qenë 14 mijë ka pas një lëvizje në vitin 2024 që shifra ka zbrit në 10 mijë pacientë në listën e pritjes. Në qershorin e vitit 2025 i kemi pasur mbi 12 mijë pacientë. Janar të këtij viti listat e pritjes figurojnë prej 12 mijë e 249 pacientë. Këtyre ditëve është raportuar edhe për mbi 1 mijë e 300 pacientë të cilët presin në listat e pritës për koreografi, dhe kjo pritje në shumicën e rasteve merr kohë deri në një vit që e bën të pashmangshëm raportimin e bordit të SHKUK-së të jenë para komisionit, të diskutojmë një mori të argumenteve. P.sh a janë marrë përsipër raportet e auditimit të vitit 2024 të cilat evidentojnë po ashtu shkelje, sepse u përmend raporti i vitit 2025, por, në rast se bordi ka marrë përsipër që t’i trajtojë edhe të dhënat e vitit 2024, janë një mori temash, në të cilat klinika, sepse, po shihet ka pasur një shpërndarje të listave tek klinikat, do të ishte mirë që të kemi informatat se në cilat klinika është bërë shpërndarja e këtyre rasteve”, deklaroi Deliu-Kodra.
Një thirrje e ngjashme ka ardhur edhe nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Deputetja Albana Bytyqi ka kërkuar që Bordi i SHSKUK-së të paraqitet urgjentisht para deputetëve për të trajtuar shqetësimet e ngritura.
“Ne kërkojmë nevojë urgjente që të thirret bordi i SHSKUK-së dhe të diskutojmë dhe njëherë këtë raport”, u shpreh ajo.
Në krahun tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sylejman Meholli, ka zgjedhur të fokusihet te të arriturat në fushën e pajisjeve, duke përmendur shifrat e investimeve dhe ndihmën nga donatorët.
“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar një mori të pajisjeve dhe aparaturës mjekësore donacione për vitin që po flasim, për raportin e vitit 2026. Një sasi të konsiderueshme të pajisjeve të siguruara përmes donacioneve që përmblidhen nën një shifër buxhetore prej 1 milion e 139 mijë e 572 euro. Pra, nuk është pak, tregon për një nivel të lartë të bashkëpunimit me donatorë, për një qasje të mirë dhe pozitive qoftë nga ana e MSH-së, qoftë nga ana e SHSKUK-së, apo spitaleve rajonale... MSH nuk është ndalur, ka bërë edhe investimet e veta në pajisje mjekësore, që duhet me u cekë, e që janë afër 4 milionë euro... Jemi prej dikastereve që kemi pasur mundësi me ngrit çështje para ministri”, tha Meholli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: