Aktuale
Incident gjatë stërvitjes ushtarake në Gjakovë: Fshihen detajet e plagosjes së efektivit të FSK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë aktiviteteve stërvitore në poligonin e Babaj të Bokës në Gjakovë, ku ka mbetur i lënduar pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Valdrin Zyhrani, me origjinë nga Skenderaj.
Sipas informacioneve të siguruara, Zyhrani, i cili shërben rregullisht në kazermën e FSK-së në Gjilan, ka pësuar lëndime trupore gjatë kohës që po zhvillonte ushtrimet ushtarake. Dyshimet e para sugjerojnë se shkas i këtij incidenti është bërë shpërthimi i një sasie municioni të prodhimit turk.
Pas plagosjes, ushtari është transportuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku pas ekzaminimeve të para është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Klinikën e Ortopedisë.
Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavit Gashi, ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të pacientit, duke konfirmuar se ai ka pësuar frakture në njërën prej unazave të shtyllës kurrizore, megjithatë fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe nënn kujdesin e mjekëve.
Ky zhvillim ka ringritur shqetësimet e ngritura më parë lidhur me standardet e sigurisë së trupave të FSK-së gjatë përdorimit të municioneve turke në stërvitje. Ngjarje të ngjashme janë raportuar edhe në të kaluarën, përfshirë një rast kur një predhë 40-milimetërsh turke kishte shpërthyer brenda granatahedhësit automatik amerikan MK-19, duke rrezikuar seriozisht jetën e një tjetër pjesëtari.
Paraprakisht është aluduar se defekte apo probleme me këtë lloj municioni janë vërejtur edhe më herët, për të cilat thuhet se janë ngritur shqetësime dhe janë dërguar ankesa zyrtare.
Në lidhje me rrethanat e sakta dhe dinamikën e këtij incidenti, prej mbrëmjes së 23 nëntorit janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një prononcim zyrtar nga strukturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mirëpo deri në publikimin e këtij materiali nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Ndërkohë, autoritetet mbeten ende për të konfirmuar zyrtarisht shkaqet e vërteta të ngjarjes dhe pretendimet rreth funksionalitetit të municioneve të përfshira në stërvitje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: