Kronikë
Arion Kurtaj, hakeri i GTA 6, dënohet me shtatë vjet burgim por lirohet me kusht
Reklamë e Sponsorizuar
Arion Kurtaj, 21-vjeçari që kishte sulmuar kompaninë Rockstar Games dhe kishte vjedhur pamje nga videoloja GTA 6, është dënuar me shtatë vjet burgim, por është liruar me kusht po atë ditë.
Gjykatësi Turner, gjatë seancës në Gjykatën e Woolwichit, e paralajmëroi Kurtajn me fjalët: “Je një i ri shumë i talentuar. Mos lejo që kjo të ndodhë përsëri”.
Kurtaj ishte deklaruar fajtor për sulmin ndaj Rockstar Games dhe disa sulme të tjera kibernetike, të kryera kur ishte 16 dhe 17 vjeç, si pjesëtar i grupit të hakerëve Lapsus$.
Ai kishte sulmuar edhe kompanitë Revolut dhe Uber, si dhe individë të tjerë. Sipas BBC-së, dëmet e shkaktuara nga sulmet e tij dhe të grupit vlerësohen në rreth 10 milionë funte.
Në vitin 2022, ndërsa ndodhej nën mbrojtjen e policisë në një hotel në Bicester të Anglisë, Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games, pavarësisht se kompjuteri i ishte konfiskuar.
Ai përdori një pajisje Amazon Fire Stick, të lidhur me televizorin e dhomës së hotelit, si dhe një tastierë dhe maus Bluetooth, për të hyrë në sistemet e kompanisë.
Prej aty vodhi të dhëna të brendshme dhe 90 videoklipe, me afro 60 minuta pamje nga versioni ende i papërfunduar i GTA 6. Më pas, ai kërcënoi kompaninë se do të publikonte edhe kodin burimor të lojës nëse nuk kontaktohej përmes platformës Telegram.
Rockstar Games kishte deklaruar se sulmi i kushtoi kompanisë rreth pesë milionë dollarë, pa përfshirë mijëra orë punë të stafit për rikuperimin nga ndërhyrja.
Fillimisht, Kurtaj ishte dënuar me qëndrim të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë, për shkak të gjendjes së rëndë të autizmit. Në janar, ai u transferua në një burg të zakonshëm pasi u vlerësua se ishte në gjendje të përballej me procesin gjyqësor.
Me vendimin e fundit, atij i është shqiptuar edhe një urdhër pesëvjeçar për parandalimin e krimeve të rënda, që përfshin kufizime në aktivitetin e tij në internet dhe ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord.
Policia e Londrës ka vlerësuar se rasti dëshmon rreziqet që të rinjtë mund të përballen duke u përfshirë në aktivitete kriminale në internet.
Sipas ekipit të tij mbrojtës, izolimi gjatë pandemisë dhe përfshirja në grupin Lapsus$ i kishin dhënë Kurtajt një ndjenjë përkatësie dhe vetëvlerësimi që më parë i kishte munguar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: