Aktuale
Britani: Skandali financiar që përfshin Princin Andrew, në qendër të vëmendjes edhe Sarah Ferguson e Princesha Beatrice
Reklamë e Sponsorizuar
Një çështje e bujshme ligjore në Britaninë e Madhe ka vënë në qendër të vëmendjes ish-Dukën e Jorkut, Andrew Mountbatten-Windsor, pasi është zbuluar se ai ka përfituar një shumë prej 750 mijë paundësh nga milionerja turke Nebahat Isbilen.
Kjo pagesë formuje pjesë të një procesi gjyqësor, ku biznesmenja 81-vjeçare akuzon ish-këshilltarin e saj financiar, Selman Turk, se e ka mashtruar duke i zhvatur rreth 38 milionë paund.
Të dhënat e paraqitura në Gjykatën e Lartë të Anglisë dhe Uellsit tregojnë se Isbilen kishte autorizuar transferimin e fondeve në vitin 2019, duke pandehur se ato do të shërbenin për t'i dhënë zgjidhje një problemi me pasaportën e saj. Nga ana tjetër, Turk pretendon se shuma i ishte dhënë Andrew-t për të ndërmjetësuar në favor të bashkëshortit të saj, i cili vuan një dënim me burg në Turqi.
Vlen të theksohet se Andrew i ka kthyer mbrapsht 750 mijë paundët dhe nuk përballet me ndonjë akuzë penale në lidhje me këtë histori.
Megjithatë, zhvillimet në sallën e gjyqit kanë nxjerrë në pah edhe lëvizje të tjera të dyshimta financiare që prekin anëtarë të tjerë të familjes mbretërore. Sipas përfaqësuesve ligjorë të biznesmenes, Turk kishte kaluar një pagesë prej 15 mijë paundësh për Sarah Ferguson, ish-bashkëshorten e Andrew, me rastin e festimit të 60-vjetorit të saj, ndërsa është folur edhe për një dhuratë të mundshme martese kushtuar Princeshës Beatrice.
Kjo betejë ligjore bazohet në pretendimet e Isbilen se ish-këshilltari i saj ka shpërdoruar besimin e dhënë, duke i transferuar milionat në llogari të kompanive të kontrolluara prej tij. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Turk, i cili këmbëngul se ajo ka qenë në çdo kohë e informuar për transaksionet.
Një nga momentet kyçe të shqyrtuara nga drejtësia mbetet një darkë e mbyllur e mbajtur në dhjetor të vitit 2019, ku të pranishëm ishin Isbilen, Andrew dhe Sarah Ferguson, takim gjatë të cilit u bisedua për fatin e bashkëshortit të ndaluar të biznesmenes në Turqi.
Procesi gjyqësor rezervon zhvillime të rëndësishme, ku Andrew pritet të paraqitet si dëshmitar më 14 dhjetor 2026 për të sqaruar rrethanat e marrjes së 750 mijë paundëve. Seancat pritet të shtrihen deri në muajin mars 2027, ndërsa verdikti përfundimtar do të shpallet më vonë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: