Politikë
Kusari-Lila në Frankfurt takon përfaqësues të bizneseve gjermane, synon investime të reja në Kosovë
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar në Frankfurt një sërë takimesh me përfaqësues të organizatave të biznesit dhe institucioneve gjermane, me fokus promovimin e investimeve në Kosovë.
Pas pjesëmarrjes në konferencën IME 2026, Kusari-Lila ka bërë të ditur se ka takuar drejtorin e Agjencisë Federale të Gjermanisë për Tregti të Jashtme dhe Investime, Achim Hartig, i cili aktualisht është edhe bashkëkryesues i organizatave për tregti dhe investime pranë vendeve të OECD-së.
Sipas saj, gjatë takimit me Hartig është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit me rrjetin e agjencive evropiane për promovimin e investimeve, si dhe për rëndësinë e përfshirjes së kompanive nga Kosova në zinxhirët evropianë të furnizimit.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se ka zhvilluar gjithashtu takime me biznese të sektorit industrial që po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të aktivitetit të tyre.
Ajo ka vlerësuar se kërkesa e kompanive gjermane dhe evropiane për të zhvendosur apo zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese po rritet, duke theksuar se Kosova ofron disa nga kushtet që kërkohen nga këto kompani, përfshirë fuqinë punëtore të kualifikuar, kostot konkurruese dhe afërsinë gjeografike me Gjermaninë dhe tregjet e Bashkimit Evropian.
Ministrja ka thënë se këto takime kanë qenë vazhdimësi e prezantimit të bërë në konferencën IME 2026 dhe një mundësi për promovimin e potencialit investues të Kosovës, veçanërisht në sektorin e prodhimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: