Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Nuk di çfarë bën

Redaksia Lajmetereja • 23-11-2026 20:03
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Nuk di çfarë bën
Marku kishte qenë sekretar i rinisë kur, në mesin e shkurtit të vitit 1967, doli vendimi për mbylljen e institucioneve fetare. Ishte ndër më të zellshmit në zbatimin e tij. Me një vrull që e mbante për detyrë, u hodh kundër kryqeve, ikonave dhe çdo shenje tjetër besimi. Në ato vite, kur kishat u mbyllën dhe Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë, ai bëri një karrierë të mirë politike. Për shumë njerëz që s'ishin pajtuar me veprimet e tij, emri i Markut u bë sinonim i frikës dhe i telasheve. Vitet kaluan. Marku u bë drejtor i shkollës së katundit dhe, siç dukej, vendosi ta vazhdonte edhe aty misionin e vet. Në atë shkollë kishte një mësues që merrte gjithmonë vetëm gjysmën e rrogës. Marku ia shkurtonte herë për një arsye, herë për një tjetër: një ditë pune të humbur, një mungesë të pashpjeguar. Mësuesi nuk ia kthente. E dëgjonte në heshtje dhe vazhdonte punën. Dhe në heshtje i vinte ndër mend një fjalë që e ëma e Markut ia kishte thënë të birit shumë kohë më parë: "Bir, lute Zotin e mos i bëj askujt atë që s'do të ta bënin ty." Po Zot, fale, se Marku nuk dinte çfarë bënte. Kishte diçka që Marku nuk e dinte, ose nuk donte ta dinte. Sa herë që ai mungonte nga shtëpia, mësuesi shkonte e vizitonte të ëmën. Nuk harronte t'i çonte një pako kafeje, ndonjëherë edhe ndonjë send tjetër të vogël. Ajo plakë ishte po ajo që, shumë vite më parë, e kishte mbajtur në krahë në kishë ditën e pagëzimit të tij. Ai nuk e kishte harruar kurrë atë ditë, as dorën e ngrohtë që e kishte mbajtur pranë. Në katund, njerëzit kishin filluar ta përmendnin Markun me një përzierje habie, keqardhjeje dhe ironie. - Mos të marrtë marrja në qafë, se bëhesh si Marku! Edhe drejtor shkolle është, por për të Partia qenka mbi Zotin, mbi familjen e mbi gjithçka! Një ditë një plakë e pyeti se si ishte e ëma. - Jam turpëruar me të, se s'kam ardhur ta shoh, - i tha. - Eh, - iu përgjigj Marku, - s'po rinovohet, s'po ia heq mendjen Zotit. Po më vdes pa u reformuar. Pra, s'e shqetësonte që e ëma do të vdiste. Këtë e dinte se nuk mund ta ndalonte askush. E vriste një tjetër gjë: që ajo do të nisej nga kjo botë pa e hequr besimin te Zoti, dhe që ai, i biri, nuk kishte arritur ta shkëpuste prej tij. - Zot na ruaj, - murmurisnin plakat me vete. - Atë e ka trangulluar shkolla. Fatkeqësi që është bërë drejtor, se tani po i bën edhe fëmijët si vetja. Dhe vërtet, Marku nuk e kishte kuptuar kurrë se njeriu mund të arsimohej pa e humbur njerëzillëkun, se mund të mos besonte vetë pa pasur nevojë t'ua ndalonte besimin të tjerëve. Më në fund erdhi dita kur e ëma ndërroi jetë. Lajmi mori dhenë në katund. Sipas zakonit, njerëzit nisën të mblidheshin për ta nderuar të ndjerën dhe për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Shumë e kishin njohur si grua të urtë, të mirë e besimtare, nga ato që nuk bënin zhurmë, por që mbanin fjalën dhe nderin e shtëpisë. Megjithatë, mes tyre kishte edhe nga ata që nuk e linin rastin pa e thumbuar. - Mirë, mirë, po a arriti Marku ta reformonte të ëmën? - pëshpëritnin me ironi, dhe i shkelnin syrin njëri-tjetrit. Erdhën edhe vajtueset, njëra pas tjetrës. Zëri i tyre i ngritur, sipas zakonit të krahinës, i jepte mortit atë dhimbje të veçantë që vetëm vajtimi i vjetër di ta përcjellë. Kur arkivoli po bëhej gati të niste drejt varrezave, njëra prej tyre, një grua me zë të fuqishëm dhe me autoritet në gjithë krahinën, nisi vajin e saj. Fjalët dilnin njëra pas tjetrës, me ritmin e lashtë të dhimbjes: - …Po ta lëshoj hatrin e Zotit…    Motra e dashtun e emja! Mos më shko ti mrena vorrit…     Motra e dashtun e emja! Kur mbërriti te vargjet e fundit, e ngriti zërin edhe më lart dhe iu drejtua të ndjerës: -… E ty të pastë Krishti në dorë të vet…     Motra e dashtun e emja! Marku e pa me një vështrim të ashpër. Fytyra iu vrenjt, por nuk foli. Ndoshta donte ta ndërpriste, ndoshta donte t'i thoshte se ato fjalë nuk kishin më vend në kohën e re. Por si t'ia priste vajin një gruaje që po nderonte të vdekurën, një burrnesheje që e respektonte gjithë krahina? Njerëzit e vunë re reagimin e tij. Disa ulën kokën për të fshehur buzëqeshjen, të tjerë shkëmbyen sërish shikime. E kuptuan se edhe në atë ditë, kur e gjithë familja po i jepte lamtumirën nënës, Marku nuk kishte hequr dorë nga lufta e tij me Zotin. Koha bëri të vetën. U shembën muret e frikës, ndryshuan rrethanat dhe një ditë dyert e kishave u hapën përsëri. Kambanat nisën të binin, kryqet u vendosën sërish në vendet e tyre dhe njerëzit, pas kaq vitesh heshtjeje, u kthyen në kishat e veta. Edhe në katundin e Markut u mblodhën njerëzit për të zgjedhur Këshillin e Kishës. U fol për ata që mund ta merrnin përsipër këtë përgjegjësi, për ata që kishin autoritet, që i njihnin punët e katundit dhe që mund ta organizonin jetën e bashkësisë. Marku nuk la gur pa lëvizur që të ishte ai në krye. Dhe, mes gjithë atyre emrave, doli edhe emri i Markut. I atij që dikur kishte qenë ndër më të zellshmit për të rrëzuar kryqet, për të hequr ikonat dhe për të mbyllur kishën. I atij që kishte ndjekur me aq këmbëngulje këdo që guxonte të fliste për Zotin. I atij që as nënës së vet nuk e kishte lënë të qetë në besimin e saj. Dhe çudia më e madhe ndodhi kur, pas propozimeve e diskutimeve, katundi e zgjodhi pikërisht atë kryetar të Këshillit të Kishës. Njerëzit mbetën për një çast pa fjalë. Disa u habitën, disa qeshën nën buzë, të tjerë thjesht shkëmbyen vështrime. Marku e pranoi detyrën me seriozitetin e dikurshëm. Dukej sikur s'kishte ndodhur asgjë. Sikur nuk kishte pasur kurrë kryqe të rrëzuara, ikona të shkatërruara, njerëz që kishin vuajtur për besimin e tyre. Ishte po ai Marku. Vetëm koha kishte ndërruar drejtim. Atëherë një plakë, që e kishte njohur mirë të ëmën e tij, iu afrua një tjetre dhe i pëshpëriti: - Zot, fale… Se nuk di çfarë ka bërë!
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar