Aktuale
Skandalet e dyshuara në ndarjen e subvencioneve për kulturë në Mitrovicë: RrOK kërkon rishikimin e procesit
Reklamë e Sponsorizuar
Publikuar më:
Procesi i ndarjes së subvencioneve për kulturë nga Komuna e Mitrovicës po shoqërohet me akuza dhe dyshime serioze për mungesë transparence, shkelje të procedurave dhe konflikt të mundshëm interesi. Rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës (RrOK) ka ngritur një varg shqetësimesh lidhur me thirrjen e dytë publike për subvencione për vitin 2026, duke kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së gjithë procesit.
Këto shqetësime e vendosin nën pikëpyetje mënyrën se si po menaxhohen paratë publike për kulturë nga qeverisja e kryetarit Faton Peci, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), e udhëhequr nga drejtori Gazmend Asllani.
Një prej çështjeve më serioze që ngre RrOK lidhet me përbërjen e Komisionit Vlerësues. Sipas organizatave kulturore, në vlerësimin e projekteve kanë marrë pjesë vetëm katër anëtarë, ndonëse Rregullorja MF-Nr. 04/2017 parasheh komision me pesë anëtarë. Për më tepër, fakti që komisioni është udhëhequr nga një përfaqësues i sektorit të sportit, sipas RrOK-ut, ngre pikëpyetje mbi ekspertizën profesionale për vlerësimin e projekteve kulturore dhe artistike.
Por, dyshimet bëhen edhe më serioze kur bëhet fjalë për një rast të mundshëm të konfliktit të interesit.
RrOK thotë se ka informacione se kryesuesi i Komisionit Vlerësues mund të ketë marrë pjesë në vlerësimin e projektit të një organizate përfituese, bashkëthemelues apo themelues i së cilës, sipas informatave që disponon rrjeti, është vëllai i tij. Organizatat kërkojnë të verifikohet nëse kjo lidhje familjare është deklaruar, nëse kryesuesi është tërhequr nga procesi i vlerësimit dhe nëse janë zbatuar procedurat ligjore për zëvendësimin e tij.
Një tjetër pikë kontestuese është diskualifikimi i disa aplikantëve për mungesë të vërtetimit nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Sipas RrOK-ut, udhëzimet për aplikantët dhe neni 20 i rregullores parashohin mundësinë e kërkimit të dokumentacionit shtesë pas përzgjedhjes paraprake. Për këtë arsye, organizatat kërkojnë që aplikimet e refuzuara për këtë arsye të rishqyrtohen.
Në anën tjetër, RrOK kritikon edhe mungesën e transparencës në publikimin e rezultateve, duke kërkuar që secili aplikant të njoftohet individualisht për arsyet e refuzimit, ndërsa pikët e vlerësimit dhe shumat e ndara për secilën organizatë përfituese të bëhen publike.
Kritikat shtrihen edhe te moszbatimi i Strategjisë për Kulturë 2024–2027, të miratuar nga Kuvendi Komunal më 26 qershor 2024. Sipas RrOK-ut, kjo strategji nuk është marrë për bazë në asnjërën prej thirrjeve publike, ndonëse ajo duhet të jetë dokument orientues për financimin dhe zhvillimin e kulturës në Mitrovicë.
Organizatat kulturore kërkojnë nga institucionet që të verifikojnë ligjshmërinë e komisionit, të hetojnë dyshimet për konflikt interesi, të publikojnë procesverbalet dhe rezultatet e plota, si dhe të rishqyrtojnë aplikimet e diskualifikuara.
Ato kërkojnë gjithashtu që rezultatet të mos finalizohen deri në shqyrtimin e ankesave, ndërsa në rast se konstatohen shkelje që cenojnë ligjshmërinë e vendimmarrjes, procesi të anulohet dhe vlerësimi të përsëritet.
Në një proces ku ndahen para publike, transparenca dhe barazia mes organizatave nuk duhet të jenë çështje zgjedhjeje, por detyrim institucional. Përgjegjësia për të dhënë sqarime mbi këto pretendime bie edhe mbi drejtuesit e DKRS-së dhe qeverisjen komunale të Faton Pecit.
Reagimi është nënshkruar nga Rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës (RrOK), ku bëjnë pjesë OJQ 7 Arte, Ad Libitum, Kosovars, Mundësia, Reconciliation Empowering Communities (REC), Trungu dhe Valët e Paqes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: