Kronikë
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt: Blerim Shabani dëshmon para Komisionit Hetimor për funksionimin e QPS-ve
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni Hetimor Parlamentar ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me Blerim Shabanin, drejtor departamenti në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. Intervistimi i tij është përqendruar te veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe te trajtimit të dhunës në familje ndaj grave dhe fëmijëve.
Në nisje të mbledhjes, Shabani kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke u arsyetuar se diskutimet mund të preknin detaje sensitive rreth fëmijës dhe të ardhmes së tij, të cilat mund të kishin ndikim negative në zhvillimin e tij. Megjithatë, kjo kërkesë u hodh poshtë nga Komisioni.
Gjatë pyetjeve të drejtuara nga kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Burim Ramadani, u diskutua mbi kontrollet e jashtëzakonshme të kryera në komunat e vendit pas kësaj ngjarjeje tragjike.
Në pyetjen e Ramadanit nëse ka pasur inspektime të jashtëzakonshme për rastin e Arlinda Zekajt, Shabani konfirmoi se një hap i tillë është ndërmarrë. Ai bëri të ditur se kontrolle të tilla janë zhvilluar në Komunën e Lipjanit, ndërsa gjatë vitit 2025 inspektim ka pasur edhe në Qendrën për Punë Sociale të Komunës së Prishtinës.
Më pas, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, e pyeti zyrtarin e ministrisë nëse Qendrat për Punë Sociale janë të pajisura me buxhetin, personelin dhe kushtet e duhura për të përmbushur detyrat e tyre funksionale.
Në përgjigjen e tij, Shabani theksoi se kompetenca e drejtpërdrejtë për sigurimin e burimeve njerëzore, hapësirave infrastrukturore dhe pajisjeve për këto qendra u takon komunave. Sipas tij, angazhimi i ministrisë kufizohet vetëm te financimi i shërbimeve rezidenciale.
Duke vijuar pyetjet, Rrahmani ngriti shqetësimin nëse ekziston ndonjë mekanizëm tjetër ligjor apo administrativ që rregullon shtimin e numrit të punonjësve në QPS në përputhje me nevojat reale në terren, ku Shabani u përgjigj shkurt se një mekanizëm i tillë mungon.
Në fazën tjetër të seancës, deputetja Arijeta Rexhepi kërkoi llogari nga Shabani lidhur me shkeljet e konstatuara në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, ku nuk janë përdorur formularët standardë për menaxhimin e rasteve, konkretisht formularët 004 dhe 005. Ajo kërkoi të dihej se si vlerësohet ky moszbatim i procedurave dhe çfarë përgjegjësish ligjore sjell ai.
Në reagimin e tij, Shabani sqaroi se ndonëse hartimi i dokumenteve dhe formularëve profesionalë është obligim i ministrisë, zbatimi dhe plotësimi i tyre në praktikën e përditshme mbetet detyrë parësore e institucioneve në terren.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: