Kronikë
Një mik i butë në patrullë: Policia gjermane pajis automjetet me arushë për të ndihmuar fëmijët në traumë
Reklamë e Sponsorizuar
Policia në landin gjerman të Rheinland-Pfalz ka ndërmarrë një nismë humane për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve që kalojnë momente të vështira. Të gjitha makinat e patrullës, përfshirë ato të policisë së autostradave, do të pajisen me arushë prej pelushi, të cilët do të shërbejnë si mbështetje emocionale në situata kritike.
Ministri i Brendshëm, Achim Schwickert, konfirmoi se 375 automjete shërbimi do të kenë në bord këta “arushë ngushëllues”. Qëllimi është që fëmijët që përballen me aksidente rrugore, skena dhune apo ngjarje të tjera traumatike, të gjejnë sadopak qetësi dhe siguri përmes një lodre të butë.
“Efektivët tanë përballen shpesh me fëmijë që sapo kanë përjetuar trauma. Një arush prej pelushi ndihmon në krijimin e një ndjenje sigurie dhe besimi, duke lehtësuar qetësimin e tyre në ato çaste dramatike,” u shpreh Schwickert. Nisma, e cila lindi si një punim diplome në Akademinë e Policisë së Rheinland-Pfalz, tashmë është shndërruar në një praktikë zyrtare.
Sipas ministrit, rezultatet pozitive të vërejtura në qytetin e Koblenzit kanë dëshmuar se këta arushë e bëjnë më të thjeshtë komunikimin e policëve me të vegjlit. Vendimi për dhurimin e arushit do t'i mbetet në dorë vetë efektivëve, të cilët do të vlerësojnë situatën në vendngjarje.
Për të siguruar vazhdimësinë e këtij projekti, çdo vit do të vihen në dispozicion mbi 1.100 arushë në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman të Arushëve prej Pelushi. Ndërkaq, financimi për vitet 2026 dhe 2027 është garantuar nga Fondacioni për Parandalimin e Krimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: