Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Valë protestash në Francë: Mbi 400 të arrestuar pas përplasjeve të dhunshme të nxënësve me policinë

Redaksia Lajmetereja • 30-09-2026 06:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Valë protestash në Francë: Mbi 400 të arrestuar pas përplasjeve të dhunshme të nxënësve me policinë
Franca është përfshirë nga një valë e gjerë protestash studentore, të cilat kanë degjeneruar në përleshje të ashpra me forcat e rendit. Si pasojë e tensioneve të larta, autoritetet raportuan për arrestimin e 440 personave në nivel kombëtar, shumica dërrmuese e të cilëve janë të mitur. Sipas ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, dy të tretat e të ndaluarve janë mbajtur në paraburgim. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit, trazirat kanë prekur rreth 400 nga 3,700 shkolla të mesme në mbarë vendin. Prej tyre, 40 institucione arsimore u bllokuan tërësisht nga protestuesit, ndërsa në 44 të tjera u shënuan përpjekje për të penguar procesin mësimor. Lëvizja, e cila nisi në periferi të Parisit, është shtrirë me shpejtësi edhe në qytete të tjera si Lille, Bordeaux, Rennes dhe Nantes. Kërkesat e nxënësve janë të fokusuara në përmirësimin e kushteve infrastrukturore, eliminimin e klasave të mbipopulluara, plotësimin e mungesave të stafit mësimor dhe shkurtimin e orareve të zgjatura. Në shkollën Lamartine në Paris, nxënësit denoncuan përmes pankartave se orari mësimor 08:00-18:00 është rraskapitës, duke pretenduar se u mbetet më pak kohë për gjumë sesa për mësim. Situata në terren ka qenë mjaft e tensionuar. Në Lille, protestuesit i vunë flakën mbeturinave dhe sulmuan policinë me sende të forta, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Ministri Nunez bëri të ditur se 48 efektivë kanë mbetur të lënduar, duke shtuar se në shtatë raste protestuesit përdorën acid klorhidrik ndaj policëve. Ai e cilësoi dhunën si të papranueshme, pavarësisht pakënaqësive të nxënësve. Në Seine-Saint-Denis, kryetari i komunës, Bally Bagayoko, u solidarizua me nxënësit e Lycee Paul-Eluard, duke akuzuar shtetin se po u ofron më pak burime zonave me të ardhura të ulëta. Ndërkohë, debati është zhvendosur edhe në arenën politike. Kryeministri Sebastien Lecornu ka dënuar ashpër dhunën, ndërsa lideri i opozitës së majtë, Jean-Luc Melenchon, ka kritikuar qeverinë për represion dhe qasje raciste ndaj të rinjve, akuzë kjo që u hodh poshtë kategorikisht nga kreu i qeverisë. Kjo valë protestash përkon me grevat e punonjësve të sektorit publik kundër politikave buxhetore të qeverisë. Sindikata e nxënësve, duke theksuar se klasat shpesh numërojnë deri në 35 nxënës, ka bërë thirrje për vijimin e protestave, por kësaj radhe në mënyrë paqësore, duke kërkuar investime urgjente në sistemin arsimor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar