Sport
UEFA godet Federatën e Futbollit të Kosovës me gjobë të majme dhe dënime disiplinore
Reklamë e Sponsorizuar
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është bërë cak i sanksioneve të rrepta nga ana e Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA), pas zhvillimeve në ndeshjen kundër Izraelit. Takimi i zhvilluar më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, i vlefshëm për xhiron e pestë të Ligës B të Kombeve, përfundoi pa gola, por pasojat për shtëpinë e futbollit kosovar janë të konsiderueshme.
Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s (CEDB) ka vendosur që ta gjobisë FFK-në me një shumë totale prej 42 mijë e 250 eurosh. Përveç gjobës financiare, institucioni evropian ka shqiptuar edhe një dënim me kusht për mbylljen e pjesshme të stadiumit në ndeshjen e ardhshme ku Kosova do të jetë nikoqire.
Arsyet për këto masa disiplinore lidhen me një sërë shkeljesh të evidentuara gjatë kësaj përballjeje, duke përfshirë përcjelljen e mesazheve të papërshtatshme për një event sportiv, sjellje raciste apo diskriminuese nga ana e tifozëve, hedhjen e objekteve në fushë, si dhe fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Izraelit.
Vendimi i detajuar i UEFA-s përcakton sanksionet si vijon:
- Gjobë prej 10.000 eurosh dhe mbyllje e pjesshme e stadiumit (sektori L2 ose sektorë të tjerë të barabartë) për ndeshjen e ardhshme si vendas, për shkak të sjelljes raciste dhe diskriminuese. Ky dënim mbetet i pezulluar për një periudhë prove prej dy vitesh.
- Gjobë prej 2.250 euro për hedhjen e gjësendeve në fushë.
- Gjobë prej 10.000 euro për trazirat e shkaktuara gjatë intonimit të himneve.
- Gjobë prej 20.000 euro për mesazhet e papërshtatshme të transmetuara gjatë ndeshjes.
Sipas rregullores së UEFA-s, masat e pezulluara nuk do të aktivizohen për momentin, por ato do të hyjnë në fuqi nëse gjatë periudhës së provës dyvjeçare, Federata e Futbollit e Kosovës përsërit shkelje të natyrës së njëjtë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: