Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kurti prezanton buxhetin 2027: 4.27 miliardë euro

Redaksia Lajmetereja • 19-11-2026 15:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kurti prezanton buxhetin 2027: 4.27 miliardë euro
Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove. Sipas tij, buxheti është rreth 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026. Gjatë prezantimit, Kurti ka thënë se rritja e buxhetit mbështetet në rritjen e të hyrave publike, zgjerimin e ekonomisë dhe shtimin e punësimit, duke theksuar se Qeveria synon të ruajë njëkohësisht qëndrueshmërinë e financave publike. “Këtë e arritëm duke mbajtur deficitin buxhetor dhe borxhin publik në nivele historikisht të ulëta, duke dëshmuar kësisoj se rritja e mbështetjes për qytetarët dhe disiplina fiskale mund të ecin krah për krah”, ka deklaruar Kurti. Ai ka përmendur edhe rritjen e të hyrave të Administratës Tatimore të Kosovës në raport me ato të Doganës. Sipas tij, në vitin 2019 të hyrat e ATK-së ishin sa 40 për qind e të hyrave të Doganës, ndërsa në buxhetin e vitit 2027 kjo përqindje parashihet të arrijë në 60 për qind. Kurti ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës në gjysmën e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje prej 4.7 për qind. Rritja për tremujorin e parë ishte 5.3 për qind, ndërsa për të dytin 4.1 për qind. Nga buxheti i përgjithshëm, 908 milionë euro janë paraparë për financimin e komunave. Kurti ka thënë se kjo është shuma më e lartë e ndarë deri më tani për këtë kategori. “Ky është niveli më i lartë i financimit komunal deri më sot dhe pasqyron rritjen e vazhdueshme të granteve qeveritare, si dhe mbështetjen për ofrimin e shërbimeve publike sa më afër qytetarëve”, ka thënë ai. Në kuadër të projektbuxhetit, Kurti ka paralajmëruar edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga ekipet mbrojtëse. Paga e 13-të dhe rritja e koeficientit në 120 euro Një nga pikat kryesore të buxhetit të vitit 2027 është mbështetja për punonjësit e sektorit publik. Kurti ka bërë të ditur se është paraparë pagesa e pagës së 13-të, ndërsa nga 1 korriku i vitit të ardhshëm koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro. “Pra, në gjysmën e parë të vitit, punonjësit publikë do ta përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa në gjysmën e dytë do të fillojë zbatimi i rritjes së koeficientit që nënkupton rritje të pagës për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit”, ka deklaruar Kurti. Për kategorinë e pagave janë ndarë 1 miliard e 85 milionë euro. Sipas kryeministrit, kjo shumë mbulon rreth 85 mijë punonjës publikë dhe reflekton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo më shumë se 1 mijë euro bruto në muaj për punonjës. Ai ka thënë se rritja e pagave do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, në përputhje me rritjen ekonomike dhe mundësitë buxhetore të vendit. Shtesat për fëmijë do të rriten për 25 për qind çdo vit Projektbuxheti parasheh edhe rritjen graduale të shtesave për fëmijë, me synimin që ato të dyfishohen deri në vitin 2030. Kurti ka bërë të ditur se rritja do të realizohet në katër faza, me nga 25 për qind çdo vit, duke filluar nga 1 janari 2027. Fazat e tjera do të zbatohen në janar të viteve 2028, 2029 dhe 2030. “Një familje me dy fëmijë, që aktualisht i merr 60 euro në muaj, nga 1 janari 2027 do të përfitojë 75 euro. Ndërsa një familje me katër fëmijë, që aktualisht merr 180 euro, do të përfitojë 225 euro në muaj”, ka thënë Kurti. Sipas tij, përmes kësaj politike synohet të rritet siguria ekonomike e familjeve dhe të mbështetet mirëqenia e fëmijëve. Më shumë mjete për barnat dhe 120 profesionistë të rinj shëndetësorë Në sektorin e shëndetësisë, Kurti ka bërë të ditur se Qeveria ka përgjysmuar buxhetin për udhëtime zyrtare jashtë vendit, ndërsa mjetet e kursyera do të orientohen për financimin e barnave esenciale për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. “Por investimi në shëndetësi nuk kufizohet vetëm me barnat. Kemi paraparë edhe shtimin e 120 profesionistëve shëndetësorë në SHSKUK, ndërsa në nivelin lokal janë planifikuar investime të konsiderueshme në ndërtimin e qendrave të reja dhe moderne të mjekësisë familjare”, ka deklaruar ai. Gjithashtu, janë paraparë mjete për blerjen e pajisjeve dhe aparaturave moderne mjekësore, projekt ky që, sipas Kurtit, mbështetet financiarisht nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës. Kryeministri ka thënë se synimi është që qytetarët të kenë më shumë qasje në barna, personel shëndetësor dhe shërbime më cilësore brenda vendit. Mbi një miliard euro për investime kapitale Për herë të parë, sipas Kurtit, investimet kapitale në buxhetin e vitit 2027 do ta kalojnë shumën prej një miliard eurosh. Në mesin e projekteve të përmendura janë punët përgatitore për Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël–Banullë, që do t’i lidhë dy autostradat, si dhe autoudhën e Dukagjinit. Buxheti parasheh edhe investime në rrugë të tjera nacionale dhe rajonale. “Buxheti i vitit 2027 do të shënojë një nivel të ri të investimeve kapitale: për herë të parë mbi 1 miliard euro do të ndahen vetëm për këtë kategori”, ka thënë Kurti. Përveç projekteve rrugore, ai ka përmendur edhe ndërtimin e digave të reja, pas përfundimit të dizajneve dhe projekteve, si dhe krijimin e një sistemi të ri për grumbullimin dhe sortimin e mbeturinave. Një linjë e veçantë buxhetore është paraparë për infrastrukturën sportive në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Nismë për themelimin e kompanisë kombëtare ajrore Në pjesën e zhvillimit ekonomik, turizmit dhe aviacionit, Kurti ka bërë të ditur se buxheti parasheh nismën për themelimin e një kompanie kombëtare ajrore. Sipas tij, kjo nismë synon zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës, krijimin e më shumë mundësive të udhëtimit për diasporën dhe promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare. “Një ndër nismat e reja të këtij buxheti është edhe nisma për themelimin e kompanisë kombëtare ajrore”, ka deklaruar Kurti. Ai ka përmendur edhe investimet në infrastrukturën turistike, përfshirë mundësinë e zhvillimit të resorteve përmes partneritetit publiko-privat në Brezovicë dhe në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht në Bjeshkët e Nemuna. Kurti ka thënë se synimi është që potencialet natyrore të Kosovës të shndërrohen në mundësi investimi, vende të reja pune dhe zhvillim të sektorit të turizmit. Në përmbyllje të prezantimit, kryeministri e ka cilësuar projektbuxhetin e vitit 2027 si buxhetin e parë të mandatit të ri të Qeverisë, duke thënë se ai synon t’i kthejë rezultatet ekonomike në përfitime konkrete për qytetarët. “Është buxhet që synon t’i shndërrojë rezultatet ekonomike në përfitime konkrete për familjet, në shërbime më të mira publike dhe mundësi të reja për bizneset dhe investitorët”, ka thënë Kurti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar