Ekonomi
Dobruna: Kosova në fushën e inovacionit krahasohet me ekonomitë e Ballkanit Perëndimor
Reklamë e Sponsorizuar
“Për herë të parë përformanca e Kosovës në fushën e inovacionit krahasohet me ekonomitë e Ballkanit Perëndimor”, tha Kujtim Dobruna, partner i lartë në ECIKS/EninGeP në Konferencën “Connect & Innovate”, në të cilën u prezantuan gjetjet e Studimit mbi Ekosistemin e Inovacionit në Kosovë.
Dobruna tha se për një fazë të re të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, nevojitet një sektor privat më dinamik dhe me kompani që investojnë në teknologji, e përmirësojnë produktet.
Dobruna: Për herë të parë performanca e Kosovës në fushën e inovacionit krahasohet me ekonomitë e Ballkanit Perëndimor
"Studimi që po shpalosim sot trajton politikat, institucionet, financimin, sektorin privat, kapacitetet akademike dhe kërkimore, digjitalizimin dhe tranzicionin e gjelbër. Ai shqyrton edhe qasjen e grave, të rinjve, komuniteteve joshumicë dhe bizneseve nga rajone të ndryshme në mundësi për inovacion. Analiza mbështetet në hulumtim dokumentar, në intervista me aktorët e ekosistemit dhe në raste konkrete të ndërmarrjeve në case studies. Për herë të parë, performanca e Kosovës në fushën e inovacionit krahasohet me ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, duke marrë për bazë indikatorët nga Indeksi Global i Inovacionit",tha Dobruna.
Rinor Beka nga kabineti i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se në programin katërvjeçar të Ministrisë, zhvillimi i ekosistemit të inovacionit është ndër prioritetet kyçe.
Beka: Zhvillimi i ekosistemit të inovacionit, ndër prioritetet kyçe
"Në programin e ministrisë për katër vitet që vijnë, zhvillimi i ekosistemit të inovacionit është një prej prioriteteve kryesore, një nga katër prioritetet, edhe synimi është që krahas ndërtimit, finalizimit të kornizës ligjore rregullative, të vazhdohet puna drejt krijimit të mekanizmave dhe instrumenteve specifike që kanë me mbështetë zhvillimin e këtij ekosistemi. Strategjinë e kemi në fazën pothuajse finale. Ligji për inovacion dhe ndërmarrësi ka kaluar leximin e parë, sot që po flasim po punohet në komisionin parlamentar me amendamentet e fundit, edhe presim që ta mbyllim brenda këtij viti. Është gjithashtu një nga zotimet në kuadër të planit të rritjes, edhe më pas do të vazhdohet me përgatitjen e akteve nënligjore",tha Beka.
Ndërsa, Drenushe Berisha, menaxhere e ndërhyrjes në ECIKS/EnInGeP, tha se një nga gjërat që vështirëson inovacionin në Kosovë është pjesa e arsimit, duke përmendur këtu rezultatet e PISA-s.
Berisha: Një nga gjërat që vështirëson inovacionin në Kosovë është pjesa e arsimit
"Në veç sa i përket Kosovës, ne e dimë që kemi numër të madh të diplomuarve në arsim të lartë, e pastaj pyetja që lind natyrshëm është a po arrin Kosova t'i krijojë aftësitë e specializuara që duhen për të inovuar? E këtu pamja është ndryshe, sepse kur flasim për aftësitë jemi shumë prapa. Për rezultat të PISËS veç e kemi diskutuar javën e kaluar, të gjithë e dinë që Kosova momentalisht renditet pothuajse e fundit në rajon, jemi 70 pikë më poshtë se sa Shqipëria, Serbia e Mali i Zi e 120 pikë më pak se sa mesatarja e OECD-së. Nëse nxënësit tanë po arrijnë t'i zhvillojnë aftësitë gjatë shkollës formale, një mundësi tjetër është të angazhohen në trajnime apo forma të tjera të ngritjes së kapaciteteve të tyre gjatë jetës. Por edhe këtu jemi shumë mbrapa",tha ajo.
Ndërsa në panelin ku diskutua më gjerë për ekosistemin e inovacionit në Kosovë, Laura Zherka nga Departamenti i Inovacionit tha se Kosova ka potencial për inovacion, por ky kapacitet duhet të rritet dhe të ketë rezultate më të dukshme.
Zherka: Kosova ka kapacitet, mirëpo ky kapacitet duhet të rritet
"Edhe në studimin e ri, po ashtu edhe ne sa kemi bërë të përcaktuar në dokumentet tona strategjike, shumë dokumente dhe të tjera programe, e kemi evidentuar që Kosova ka potencial, ka kapacitet, mirëpo ky kapacitet duhet po ashtu të rritet dhe të ketë rezultate direkte dhe rezultate më të dukshme",tha Zherka.
Mërgim Prishtina nga industria farmaceutike tha se si industri është e vështirë.
Prishtina: Industria farmaceutike, e vështirë
"Kemi filluar në 2010, dy arsye pse kemi qëndruar. Në një dokumentar thuhet se arsyeja se pse ka ndodhur është pikërisht se nuk e kemi ditur sa vështirë është se po ta kishim ditur sa vështirë është nuk do të fillonim hiç",tha Prishtina.
Mentor Rexhepi, drejtor ekzekutiv i "VentureUP" tha se rezultatet e këtij studimi ishin të pritshme.
Sipas tij, duhet të shikojmë se ku duam të shkojmë si shtet në aspektin e inovacionit.
Rexhepi: Rezultatet e këtij studimi ishin të pritshme
"Rezultatet pak a shumë kanë qenë të pritshme, të bazuara në punën për të cilën kemi punuar ne, për rrethanat e ICT-së, ku i kemi pasur ato shifra, pastaj që e kemi krijuar një farë përshtypje që Kosova është një superfuqi e ICT-së në Ballkan.. por është një farë alarmi, ndoshta për të gjithë neve, që të rishikojmë si shtet, ku duam ne të shkojmë",tha ai.
Prezantimi i gjetjeve të studimit mbi ekosistemin e inovacionit në Kosovë, siç u vlerësua,
synon të ofrojë një pasqyrë më të qartë të gjendjes së ekosistemit të inovacionit në Kosovë dhe të kontribuojë në identifikimin e hapave të mëtejshëm për zhvillimin e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: