Politikë
Marjana Koçeku paralajmëron rikthimin në garën elektorale: Synoj Parlamentin jashtë subjekteve tradicionale
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja Marjana Koçeku ka konfirmuar se do të jetë sërish pjesë e garës elektorale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë një prononcimi për median, ajo bëri të ditur se ende nuk e ka përcaktuar përfundimisht nëse do të garojë si kandidate e pavarur, por nënvizoi se angazhimi i saj do të zhvillohet jashtë kufijve të forcave tradicionale politike.
“Do të kandidoj sërish si deputete. Si e pavarur apo jo mbetet për t’u parë. Besoj se politika nuk lejon me bërë plane, por e sigurt do të kandidoj si deputete dhe larg partive tradicionale dhe forumeve që kemi parë deri tani”, u shpreh ajo.
Lidhur me mundësinë e themelimit të një subjekti të ri politik, Koçeku u shpreh se është ende shpejt për të skicuar plane të mirëfillta, teksa theksoi se mbetet e hapur ndaj formave inovatore dhe të mirëfillta demokratike të përfaqësimit.
“Besoj se ka kohë mjaftueshëm edhe për të kuptuar kontekstin social dhe politik të vendit. Politika nuk lejon shumë për të bërë plane afatgjata por qëndroj e hapur ndaj metodave dhe mënyrave të reja sa më demokratike për atë që kërkon vendi jonë”, shtoi ajo.
Në lidhje me pyetjen nëse strukturat studentore duhet të ndërtojnë një platformë të mirëfilltë politike nga lëvizjet e tyre protestuese, ajo dha këtë mesazh:
“Nuk duhet me pas frikë nga politika dhe formalizimi. I inkurajoj protestuesit që të formalizohen dhe të shtrojnë rrugën drejt përfaqësimit në Kuvend. Besoj se është energjia e duhur dhe një formim shumë pozitiv për t’i çuar vendit një përfaqësi shumë më të kulturuar dhe më të denjë politike.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: