Politikë
Debat i nxehtë në Kuvend: Përplasje mes Pacollit dhe Gashit për situatën alarmante në deponinë e Pejës
Reklamë e Sponsorizuar
Seanca e Kuvendit të Kosovës është shoqëruar me debate të ashpra mes ministres së Mjedisit, Fitore Pacolli, dhe deputetit të Lidhje Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, të cilët janë përplasur lidhur me përgjegjësinë institucionale për menaxhimin e gjendjes së krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Pejë.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Pacolli vlerësoi se shqetësimi i ngritur është i drejtë, mirëpo theksoi se kompetenca primare për mirëmbajtjen dhe administrimin e këtij lokacioni i adresohet Komunës së Pejës.
"Shqetësimi është plotësisht e drejtë. Është e domosdoshme të sqarohen kompetencat ligjore dhe përgjegjësia institucionale. Deponia është nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të komunës së Pejës dhe për aq kohë që kjo deponi mbetet nën administrimin komunal përgjegjësia primare për mirëmbajtje, keqmenaxhimin bien mbi komunën e Pejës. As ministria as kompania nuk kanë kompetenca. Jemi në kontakt cu kompaninë," deklaroi ajo mes tjerash.
Nga ana e tij, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kundërshtuar këtë qasje, duke theksuar se në rrethana të tilla emergjente prioriteti kryesor mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve, e jo debatet rreth kompetencave.
Ai kërkoi ndërmarrjen e menjëhershme të masave dhe ndarjen e një fondi emergjent për shuarjen e flakëve, duke shtuar se llogaridhënia dhe përgjegjësia për dëmet mund të hetohen më vonë nga organet e drejtësisë.
"Mesa di unë deponia është ndërmarrje publike rajonale, ku mblidhen edhe mbeturina të Pejës, Istogut, Deçanit, Klinës, po nuk ka rëndësi, jeta e qytetarëve është në rrezik. Nuk po më intereson hiç a është e komunës, a është e qeverisë apo e kujt, me rëndësi është jeta e njerëzve. Fond emergjent, çka doni bëni, aty duhet të ndalet zjarri, kush e ka fajin shkoni nëpër gjykata, le të shkon në burg kushdo që ka faj, nuk jam duke e trajtuar politikisht, nuk jam duke e sulmuar, po kërkoj mbrojtjen e njerëzve," u shpreh Gashi.
Në kundërpërgjigjen e saj, ministrja Pacolli theksoi se kriza aktuale është rezultat i keqmenaxhimit të vazhdueshëm ndër vite, probleme të cilat sipas saj nuk mund të zgjidhen brenda një afati të shkurtër kohor.
Ajo po ashtu i drejtoi kritika deputetit Gashi pse ky shqetësim nuk ishte ngritur më herët, duke ia adresuar barrën e fajit udhëheqjes komunale të Pejës.
"Sikur ta kishe nisur këtë diskutim vite më përpara, kur ka pasur alarm se po keqmenaxhohet deponia, atëherë nuk e ke ngritur zërin. Keqmenaxhimi disavjeçar të ka sjell këtu sot, ne nuk mundemi me riparua brenda një periudhe të shkurtër. Po duhesh ta adresosh kujt i takon, komuna duhet të merr përgjegjësi për këtë gjendje. Është kryetari i partisë së juaj që ka udhëhequr me komunën e Pejës tash e sa vite," u shpreh Pacolli.
Kujtojmë se deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës tash e sa muaj po përballet me përhapjen e zjarreve dhe ndotje të konsiderueshme, situatë kjo që ka ngritur alarmin dhe shqetësimin e madh te banorët e zonës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: