Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Fletarrestimi për Radoiçiqin nuk mjafton, eksperti austriak me paralajmërim të fortë: Hetimi duhet të shkojë deri te Vuçiqi!

Redaksia Lajmetereja • 19-11-2026 07:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Fletarrestimi për Radoiçiqin nuk mjafton, eksperti austriak me paralajmërim të fortë: Hetimi duhet të shkojë deri te Vuçiqi!
Sulmi terrorist në Banjskë dhe përgjegjësia për organizimin e tij vazhdojnë të mbeten një nga çështjet më të rëndësishme në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar paraburgim dhe ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin, ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj tij për organizimin e sulmit të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Vendimi i fundit i gjykatës serbe vjen pasi Radoiçiqi nuk iu bind detyrimit për t'u paraqitur në polici më 15 nëntor, ndërsa raportimet për largimin e tij të mundshëm drejt Rusisë kanë shtuar pikëpyetjet për vendndodhjen e tij dhe gatishmërinë e Beogradit për ta vënë para drejtësisë. Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur eksperti austriak Gunther Fehlinger, i cili vlerëson se rasti i Banjskës do të jetë testi i parë i vërtetë për qeverinë e re që mund të formohet në Serbi dhe për premtimet për një ndryshim politik në këtë vend. Ai thekson se fletarrestimi për Radoiçiqin është një hap i domosdoshëm, por rëndësia e tij do të varet nga veprimet konkrete të autoriteteve serbe për ta lokalizuar dhe arrestuar atë, si dhe për të bashkëpunuar me Kosovën. “Rasti i Banjskës do të jetë testi i parë i vërtetë për një qeveri të udhëhequr nga studentët në Beograd dhe për Serbinë e re që ajo premton. Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar caktimin e paraburgimit dhe lëshimin e fletarrestimit për Millan Radoiçiqin, pasi ai nuk iu bind detyrimit për t'u paraqitur në polici më 15 nëntor. Ky është një hap i domosdoshëm. Rëndësia e tij do të matet nga ajo që do të bëjë Serbia më pas për ta lokalizuar, për ta vënë në paraburgim dhe për të bashkëpunuar me Kosovën, në mënyrë që ai të përballet me gjykimin atje. Raportimet se ai është larguar drejt Rusisë ende nuk janë të verifikuara. Nëse gjendet jashtë vendit, Serbia duhet të kërkojë menjëherë bashkëpunim ndërkombëtar gjyqësor dhe policor”, deklaron Fehlinger. Duke folur për vonesat në hetimin e sulmit terrorist në Banjskë, eksperti austriak vëren se, më shumë se tre vjet pas ngjarjes, prokuroria serbe ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit. Ai kritikon mungesën e një shpjegimi të qartë nga autoritetet serbe për arsyet që po e pengojnë përparimin e rastit. Sipas tij, Beogradi pretendon se është duke pritur provat e kërkuara nga Kosova përmes EULEX-it, por prokurorët duhet të bëjnë të ditur se cilat prova kanë kërkuar dhe çfarë ende mungon. “Më shumë se tre vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, prokurorët serbë ende po zhvillojnë hetime ndaj Radoiçiqit. Beogradi thotë se është duke pritur provat e kërkuara nga Kosova përmes EULEX-it. Prokurorët duhet të shpjegojnë, aq sa ua lejon konfidencialiteti i hetimeve, se çfarë provash kanë kërkuar, kur i kanë kërkuar dhe cilat prej tyre ende mungojnë, para se të vendosin nëse do të ngritin aktakuzë. EULEX-i duhet të ndihmojë Beogradin dhe Prishtinën që të zgjidhin çdo kërkesë të mbetur pezull. Pas tre vjetësh, publiku meriton një shpjegim të qartë se çfarë po e pengon këtë rast”, shprehet ai. Fehlinger thekson se Radoiçiqi ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit, por kjo nuk duhet të nënkuptojë që hetimet të përqendrohen vetëm tek ai. Sipas ekspertit, duhet të zbardhet se kush e furnizoi grupin me armë, kush e financoi dhe nëse zyrtarë të institucioneve të Serbisë kishin dijeni për operacionin apo ndihmuan në realizimin dhe fshehjen e tij. “Radoiçiqi ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit. Ai gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe të një gjykimi të drejtë. Ai drejtonte një grup të armatosur dhe hetimi duhet të përcaktojë se kush ia siguroi armët, kush e financoi dhe nëse dikush nga qeveria, ushtria, policia apo shërbimet inteligjente të Serbisë kishte dijeni për operacionin, e mundësoi atë apo ndihmoi në fshehjen e tij. Vonesat i japin Kosovës arsye të forta për të vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim. Çdo përfshirje e mundshme e zyrtarëve shtetërorë duhet të hetohet mbi bazën e provave”, deklaron Fehlinger. Ai kërkon që Kuvendi i Serbisë të krijojë një komision hetimor për sulmin në Banjskë, i cili do të shqyrtonte edhe atë që dinin presidenti Aleksandar Vuçiq dhe ish-zyrtari i lartë serb Aleksandar Vulin përpara dhe gjatë organizimit të sulmit. Sipas tij, të dy duhet të merren në pyetje, së bashku me zyrtarët përkatës të ushtrisë, policisë dhe shërbimeve inteligjente, ndërsa gjetjet e komisionit duhet të bëhen publike. “Kuvendi i Serbisë duhet të krijojë një komision hetimor për sulmin terrorist në Banjskë. Çfarë dinte Aleksandar Vuçiqi dhe kur e mori vesh? Çfarë dinte Aleksandar Vulin dhe kur u vu në dijeni? Komisioni duhet t'i marrë në pyetje të dy, si dhe zyrtarët përkatës të ushtrisë, policisë dhe shërbimeve inteligjente, të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm dhe t'i publikojë gjetjet e tij. Çdo dëshmi për bashkëpunim kriminal duhet t'u dorëzohet prokurorëve të pavarur”, thekson ai. Më tej, Fehlinger vlerëson se një qeveri e re në Serbi nuk duhet ta përdorë Radoiçiqin si përgjegjësin e vetëm për sulmin, duke shmangur kështu hetimin e rolit të udhëheqjes politike dhe të institucioneve të sigurisë. Ai shprehet se përgjegjësia përfundimtare politike bie mbi presidentin aktual serb, Aleksandar Vuçiq. “Nëse Radoiçiqi ndodhet brenda juridiksionit të Serbisë dhe një qeveri e re dështon të ndërmarrë hapat ligjorë për ta dorëzuar atë te Kosova, atëherë ajo do të dëshmojë se është krejtësisht e paaftë që në testin e saj të parë madhor për sundimin e ligjit. Dorëzimi i tij do të ishte një zhvillim i mirëpritur. Megjithatë, qeveria e re duhet t'i rezistojë tundimit për ta shndërruar Radoiçiqin në një kurban politik dhe për ta mbyllur çështjen pa hetuar rolin e udhëheqjes politike dhe të sigurisë në Serbi. Sipas mendimit tim, përgjegjësia përfundimtare politike bie mbi Aleksandar Vuçiqin. Si president në kohën kur ndodhi sulmi, ai u detyrohet qytetarëve të Serbisë, Kosovës dhe familjes së Afrim Bunjakut një shpjegim të plotë për atë që dinte dhe për mënyrën se si veproi. Ai duhet të përballet me pasojat politike që do të dalin nga gjetjet e hetimit”,shprehet Fehlinger. Duke folur për rolin e bashkësisë ndërkombëtare, eksperti austriak vë në pah përgjegjësinë e Bashkimit Evropian për të ushtruar presion ndaj Serbisë. Ai kërkon që përparimi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE të kushtëzohet me bashkëpunim të verifikueshëm në rastin e Banjskës, përfshirë zbatimin e fletarrestimit, përgjigjen ndaj kërkesave të Kosovës për ndihmë juridike dhe hetimin e mundshëm të përfshirjes së zyrtarëve shtetërorë serbë. “Edhe Bashkimi Evropian përballet me një test të rëndësishëm. Parlamenti Evropian tashmë ka bërë thirrje për bashkëpunim të plotë dhe ka identifikuar ekstradimin në Kosovë si një rrugë ligjore për vënien e të dyshuarve para drejtësisë. Brukseli duhet ta bëjë bashkëpunimin e verifikueshëm në rastin e Banjskës kusht për përparimin e mëtejshëm të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE. Kjo nënkupton kërkimin e veprimeve konkrete për zbatimin e fletarrestimit, përgjigjeve në kohë ndaj kërkesave të Kosovës për ndihmë juridike dhe një hetimi të besueshëm për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve shtetërorë serbë”, deklaron ai. Në përfundim, Fehlinger paralajmëron se çdo tolerim i mungesës së bashkëpunimit të Beogradit në rastin e Banjskës do të ishte gabim i rëndë i Bashkimit Evropian. Sipas tij, BE-ja duhet të dëshmojë se standardet e sundimit të ligjit që kërkon nga Serbia vlejnë edhe në praktikë. “Do të ishte një gabim i rëndë nëse BE-ja do t'i jepte qeverisë së re në Beograd një leje të pakushtëzuar për të shmangur përgjegjësinë në rastin e Banjskës. Nëse Brukseli i avancon negociatat e anëtarësimit, ndërkohë që Beogradi nuk bashkëpunon, atëherë do të ketë pak shpresë se BE-ja është e gatshme të mbrojë standardet e sundimit të ligjit që kërkon t'i përmbushë Serbia”,përfundon Gunther Fehlinger për “Bota sot”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar