Kronikë
“Banjska dhe vrasja e Ivanoviqit”, Trajkoviq: Arrestimi i Radoiçiqit mund të komprometojë zyrtarët e lartë serbë
Reklamë e Sponsorizuar
Arrestimi i Milan Radoiçiqit mund të nxjerrë në pah lidhjet e tij me institucione dhe zyrtarë të lartë të pushtetit në Serbi.
Kështu ka deklaruar politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, e cila ka kërkuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) të zbulojë vendndodhjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, ndaj të cilit Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhërarrest.
Në një deklaratë për agjencinë serbe Beta, Trajkoviq ka thënë se Radoiçiqi është shndërruar në barrë për pushtetin e Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.
Ajo ka përmendur lidhjen e Radoiçiqit me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, si dhe pretendimet për përfshirjen e tij në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
“Milan Radoiçiq është një person me një barrë të madhe, i cili në thelb rëndon mbi të gjitha institucionet shtetërore. Ai lidhet me sulmin e armatosur në Banjskë dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit, megjithëse organet shtetërore e kanë liruar nga çdo përgjegjësi në bazë të poligrafit. Buxheti i Qeverisë së Serbisë ka qenë plotësisht në dispozicion të Radoiçiqit. Ai dhe Zvonko Veselinoviq janë bërë ndër qytetarët më të pasur të Serbisë”, ka deklaruar Trajkoviq.
Sipas saj, arrestimi eventual i Radoiçiqit mund të komprometojë shumë institucione dhe zyrtarë të rëndësishëm të pushtetit në Serbi.
Trajkoviq ka thënë se shpreson që Radoiçiqi të jetë gjallë dhe që një ditë të flasë për të gjitha veprimet e paligjshme në të cilat, sipas saj, ka marrë pjesë së bashku me biznesmenin Zvonko Veselinoviq.
Ajo ka ngritur pikëpyetje edhe për vendndodhjen e Radoiçiqit, duke kërkuar që shërbimet serbe të sigurisë të japin përgjigje.
“Para zhdukjes së Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq u largua nga Serbia së bashku me vëllain e tij. Për Radoiçiqin nuk dihet asgjë me siguri. Flitej se ishte barrikaduar në Kopaonik. Në këtë moment është një enigmë e madhe se ku ndodhet dhe cili është fati i tij. Këtë duhet ta dinë dhe ta bëjnë të ditur shërbimet tona të sigurisë, në krye me BIA-n, sepse me shumë gjasë ka qenë nën mbikëqyrje”, ka thënë ajo.
Trajkoviq ka ngritur pretendime edhe për lidhjet e Radoiçiqit me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb.
Sipas saj, Bojan Dimiq, shefi i Drejtorisë për Terrorizëm dhe Krim të Organizuar në BIA, ka qenë nën mbrojtjen e Radoiçiqit dhe ka arritur në këtë pozitë përmes mbështetjes së tij dhe Veselinoviqit.
“BIA duhet të japë një përgjigje zyrtare nëse ka mbikëqyrur lëvizjet e Radoiçiqit apo ka ndodhur e kundërta – që Radoiçiqi ta ketë mbikëqyrur BIA-n”,ka deklaruar Trajkoviq.
Sipas raportimit të mediave, Milan Radoiçiq nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor Savski Venac në Beograd, ku kishte detyrimin të paraqitej 2 herë në muaj.
Pas mosparaqitjes së tij, Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar paraburgimin dhe ka urdhëruar lëshimin e urdhërarrestit.
Radoiçiqi është i akuzuar në procedurën që zhvillohet lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023.
Ndërkohë, ish-inspektori i pavarur i BIA-s, Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar më 13 nëntor se disponon informacione jozyrtare sipas të cilave Radoiçiqi është larguar nga Serbia.
Gjatë një paraqitjeje në televizionin N1, Zvezdanoviq ka thënë se, sipas informacioneve të tij nga BIA, Radoiçiqi ka shkuar në Rusi.
I pyetur nëse Radoiçiqi ishte larguar me leje apo në mënyrë të paligjshme, ai është përgjigjur duke iu referuar faktit se Partia Progresive Serbe vazhdon të jetë në pushtet.
“Atij nuk i është dashur leje”,ka deklaruar Zvezdanoviq.
Sipas tij, largimi i Radoiçiqit nga Serbia ka shqetësuar edhe një pjesë të drejtuesve të lartë të BIA-s, të cilët, siç pretendon ai, kanë pasur lidhje biznesore dhe kriminale me të.
Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndërkaq, politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicën e Veriut.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: