Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kuvendi i Kosovës mban dy seanca plenare, në rend dite edhe Ligji për Gjykatën Speciale

Redaksia Lajmetereja • 19-11-2026 06:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kuvendi i Kosovës mban dy seanca plenare, në rend dite edhe Ligji për Gjykatën Speciale
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca plenare, në të cilat do të shqyrtohen një sërë çështjesh me rëndësi institucionale dhe publike. Në mesin e pikave kryesore të rendit të ditës është rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilin presidentja e Kosovës ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim. Seanca e parë, e cila është vazhdim i seancës së mëparshme, pritet të nisë në orën 10:00. Në rend dite janë tri çështje kryesore: gjendja në sektorin e shëndetësisë, furnizimi dhe çmimi i energjisë elektrike, si dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Gjatë kësaj seance, deputetët pritet të votojnë rezolutën lidhur me gjendjen në shëndetësi, pas interpelancës me ministrin Arben Vitia. Kjo rezolutë ndërlidhet me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj pa terapi, si dhe me mungesën e barnave onkologjike. Në votim do të jetë edhe propozim-rezoluta që buron nga mocioni përmbajtjesor lidhur me planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Një nga çështjet më të rëndësishme të kësaj seance është shqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ligji i është kthyer Kuvendit nga presidentja për rishqyrtim, ndërsa synon kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale. Ndërkaq, seanca e dytë plenare, e rregullt, pritet të nisë në orën 11:00. Vëmendje të veçantë në këtë seancë pritet të marrë shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe procesi i zgjedhjes së katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Bëhet fjalë për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë. Në rend dite është përfshirë edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë propozimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje. Seanca e dytë do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar