Kronikë
Përplasje e fortë në Senatin amerikan: Jack Smith vihet para përgjegjësisë për rastin e Thaçit dhe atë të Trumpit
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-kryeprokurori i Dhomave të Specializuara të Hagës, Jack Smith, ka vazhduar dëshminë e tij para Komitetit Gjyqësor të Senatit të Shteteve të Bashkuara, ku është përballur me pyetje dhe kritika të ashpra nga ligjvënësit republikanë.
Seanca e zhvilluar është përqendruar kryesisht te hetimet dhe proceset penale që Smith kishte drejtuar ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, me republikanët që e kanë vënë në shënjestër duke e akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Megjithatë, gjatë kësaj përballjeje, fokusi i diskutimeve është zgjeruar duke përfshirë edhe të kaluarën e tij profesionale në krye të Prokurorisë Speciale të Kosovës me sedër në Hagë.
Në këtë linjë, senatori republikan Eric Schmitt i ka kërkuar llogari Smithit lidhur me angazhimin e tij të mëparshëm, kur ai kishte udhëhequr ndjekjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Mirë. Pasi humbët të gjitha këto raste të profilit të lartë në Amerikë, ju shkuat në Hagë, e saktë? Dhe ndoqët penalisht Presidentin e Kosovës në vitin 2020?”, ka qenë pyetja e drejtpërdrejtë e senatorit Schmitt drejtuar ish-prokurorit.
Nga ana e tij, Smith është përgjigjur shkurtazi: “Po, dhe ai sapo është dënuar për mbi 300 akte torture dhe 96 vrasje”.
Debati ka vijuar me pyetje të tjera nga ligjvënësi republikan, i cili ka kërkuar sqarime edhe për hapat e mëvonshëm të karrierës së tij.
“Dhe pastaj ju patët mundësinë të ktheheni për të kapur Trumpin, a është kështu?”, ka insistuar senatori Schmitt.
Ky shkëmbim i tensionuar fjalësh në Senat ka rikthyer sërish në qendër të vëmendjes publike periudhën kur Jack Smith ka shërbyer në krye të institucionit të drejtësisë në Hagë, para se të kthehej sërish në territorin amerikan për t'u angazhuar në çështjen e ndjeshme ndaj Donald Trump.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: