Botë
Përshkallëzim i rrezikshëm në Lindjen e Mesme: SHBA dhe Irani në prag të një konflikti të hapur
Reklamë e Sponsorizuar
Lindja e Mesme po i afrohet me ritme të shpejta një përballjeje të re të gjithanshme, teksa cikli i sulmeve ajrore dhe kundërpërgjigjeve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka marrë përmasa alarmante. Situata është tensionuar ndjeshëm që nga dita e e diel, ndërkohë që në rajon ka zbarkuar tashmë edhe aeroplanmbajtësja e tretë amerikane, duke e ngritur ndjeshëm nivelin e pranisë ushtarake të Uashingtonit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), vetëm gjatë ditës së hënë është shënuar shpërthimi i dy cisternave të tjera nafte në Ngushticën e Hormuzit. Autoritetet iraniane raportojnë se numri i anijeve transportuese që kanë marrë flakë në këtë korridor ujor që nga dita e e diel ka shkuar në gjashtë. Nga ana tjetër, ushtria amerikane ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj pozicioneve të lëshuesve të raketave në jug të Iranit, si përgjigje direkte ndaj sulmit me dron ndaj një baze amerikane në Bahrein dhe incidenteve të regjistruara në Ngushticën e Hormuzit.
Flakët dhe tensionet në rrugën strategjike detare u ndezën pas një sulmi të kryer të dielën nga Irani ndaj një radari në bazën ajrore amerikane Al Riffa. Ky veprim erdhi si vazhdimësi e goditjeve të mëparshme ndaj objekteve amerikane në Bahrein dhe u lexua si një shfaqje force ndaj zgjerimit të pranisë ushtarake të SHBA-së në rajon. Si kundërpërgjigje, forcat amerikane bombarduan lëshuesit e raketave në Bandar Lengeh dhe Sirik, duke përfshirë një territor më të gjerë se në rastet e mëparshme, ndërsa platformat e gjurmimit të fluturimeve konfirmuan një aktivitet të shtuar të Forcave Ajrore amerikane mbi Gjirin Persik.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, Garda Revolucionare Islamike pretendoi të dielën se dy cisterna nafte që po përpiqeshin të kalonin korridorin jugor të Ngushticës së Hormuzit nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane, kishin rënë pre e minave detare, duke shkaktuar shpërthime që ndriçuan qiellin për orë të tëra. IRGC i etiketoi këto zhvillime si një përgjigje ndaj të ashtuquajturës “bllokadë të paligjshme amerikane”, duke paralajmëruar sërish kompanitë e naftës se korridori jugor është i minuar.
Ndërkaq, Marina iraniane njoftoi të hënën se një tjetër cisternë e konsideruar si “shkelëse” kishte marrë flakë pas kontaktit me një minë detare në zonën e kufizuar në lindje të Ngushticës së Hormuzit, duke mbetur e palëvizshme. Autoritetet iraniane theksuan se çaktivizimi i sistemeve të gjurmimit dhe hyrja e paautorizuar në zona të ndaluara përbën një rrezik fatal për anijet.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse kjo cisternë bën pjesë në grupin e gjashtë anijeve të përmendura nga IRGC apo bëhet fjalë për një incident të ndarë, pasi pretendimet e palës iraniane nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura. Nga ana e tij, Autoriteti i Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) konfirmoi se kishte marrë njoftime për të paktën një incident në orët e para të së hënës, ku një cisternë nafte ishte goditur nga një “objekt i paidentifikuar” gjatë largimit nga Ngushtica e Hormuzit, duke shkaktuar zjarr në dhomën e motorit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: