Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Operacion antidrogë në Vërmicë: Kapet kokainë dhe armatim, ndërron jetë e dyshuara gjatë intervistimit

Redaksia Lajmetereja • 16-11-2026 13:20
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Operacion antidrogë në Vërmicë: Kapet kokainë dhe armatim, ndërron jetë e dyshuara gjatë intervistimit
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët lidhur me një aksion të zhvilluar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoke”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Hetim i vdekjes”, ngjarje kjo e regjistruar më 16 nëntor 2026. Sipas informacioneve operative që posedonte Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, se një person i dyshuar mashkull kosovar ishte i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike, autoritetet ndërmorën veprime të menjëhershme. Më 15.11.2026, rreth orës 18:00, në Vërmicë u ndalua një automjet i tipit BMW me targa vendore, në të cilin ndodheshin dy persona, një mashkull dhe një femër, të dy shtetas të Kosovës. Gjatë kontrollit të detajuar të veturës, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy aparate celulare. Meqenëse të dyshuarit ishin persona të njohur për organet e rendit, me urdhër të prokurorit kompetent u krye një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit mashkull, ku u gjet dhe u konfiskua një detektor për identifikimin e GPS-it dhe kamerave. Në përputhje me procedurat ligjore, palëve iu caktua avokati mbrojtës. Gjatë procesit të intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh. Ndërkohë, gjatë nisjes së intervistimit të së dyshuarës femër në prani të avokatit mbrojtës, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua papritur, çka solli thirrjen e ndihmës emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në vendin e ngjarjes nga ekipi i emergjencës, ajo u transportua në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtutjeshëm. Rreth orës 01:30, mjekët kompetentë njoftuan Policinë se personi në fjalë kishte ndërruar jetë. Lidhur me këtë zhvillim tragjik, u vunë në dijeni njësitë përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), si dhe prokurori kujdestar. Të gjitha njësitë relevante policore, duke përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën, dolën në vendin e ngjarjes dhe ndërmorën hapat e parë hetimorë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij rasti. Pas përmbylljes së procedurave fillestare të hetimit dhe sigurimit të dokumentacionit mjekësor përkatës, me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës u dërgua për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar