Politikë
Skandali në Bruksel: Hoxhaj ngre alarmin për melodinë nacionaliste serbe dhe akuzat ndaj zyrtares evropiane
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-kryediplomati kosovar dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj interpretimit të një melodie që e ka cilësuar si nacionaliste serbe gjatë ceremonisë së hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Hoxhaj e ka quajtur këtë zhvillim si “më shumë se skandaloz”, duke theksuar se bëhet fjalë për një këngë e cila jo vetëm që mohon shtetësinë e Republikës së Kosovës, por shfaq hapur edhe pretendime territoriale ndaj saj.
“Kosova e ka vendin në tryezën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nacionalizmi serb nuk e ka vendin në skenën e tij”, ka shkruar ndër të tjera deputeti i PDK-së në reagimin e tij.
Madje, në të njëjtin prononcim, ai ka hedhur akuza të forta ndaj komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke pretenduar se ajo po angazhohet përmes lobimit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke ushtruar presion kundër Ligjit për Gjykatën Speciale.
Duke e cilësuar si të padrejtë procesin dhe verdiktin ndaj katër ish-figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hoxhaj ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë që, sipas tij, ua ka transmetuar edhe ndërkombëtarëve.
“Nuk do të heshtim kur vihet në pikëpyetje liria dhe pavarësia e Kosovës. Këtë ua kam thënë partnerëve tanë evropianë atëherë dhe ua them edhe sot”, ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: