Politikë
Paketa e re e masave energjetike dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fokus të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj të 11-të me radhë, ku ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme që lidhen me sektorin e energjisë dhe nismat ndërkombëtare.
Ndër vendimet kryesore ishte miratimi i masës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompani të caktuara, duke përfshirë çdo blerje, shitje, import apo eksport, qoftë direkt, përmes tranzitit apo rishitjes në shtete të treta. Për këtë qëllim, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) është ngarkuar që brenda afateve ligjore të identifikojë subjektet me veprimtari energjetike që kanë lidhje direkte ose indirekte, janë degë, apo kanë ndërmarrje amë të regjistruara në Serbi.
Nga ky ndalim përjashtohen shprehimisht aktivitetet tregtare që mbështeten te Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, konkluzionet e lehtësuesit të Bashkimit Evropian të datës 25 gusht 2015, si dhe Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë i datës 21 qershor 2022. Po ashtu, ekzekutivi miratoi vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, me një afat vlefshmërie prej gjashtëdhjetë ditësh nga data e hyrjes në fuqi.
Gjatë këtij takimi, kabineti qeveritar i ka vënë obligim të shërbimit publik Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit, me qëllim të adresimit të mungesës në prodhimin e planifikuar nga njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”.
Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe drejtësisë, ekzekutivi ka miratuar një varg projektligjesh për ratifikim. Mes tyre veçohen Projektligji për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës, ai për Konventën e Ljublanës/Hagës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen e Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare, si dhe Projektligji për Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare.
Po ashtu, dritën jeshile e morën edhe Projektligji për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, marrëveshja e ekstradimit mes qeverive të Kosovës dhe Francës, si dhe ajo për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet dy vendeve.
Në fund të mbledhjes, Qeveria miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me Racionalizimin dhe Vendosjen e Vijave Llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. Ky projektligj synon ngritjen e efikasitetit, forcimin e llogaridhënies, përmirësimin e administrimit në qendrat rajonale dhe konsolidimin e përgjithshëm të sistemit institucional.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: