Politikë
Mace apo qen? Studimi amerikan zbulon se si preferenca për kafshët shtëpiake lidhet me inteligjencën dhe karakterin
Reklamë e Sponsorizuar
Një kërkim shkencor i kryer me studentë universitarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nxjerrë në pah dallime të rëndësishme mes personave që preferojnë macet dhe atyre që parapëlqejnë qentë. Sipas gjetjeve, kjo përzgjedhje nuk pasqyron vetëm karakteristikat e personalitetit, por lidhet edhe me rezultatet e arritura në testet e inteligjencës.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Carroll në Wisconsin, individët që e identifikojnë veten si adhurues të maceve kanë arritur pikë më të larta në testimet e inteligjencës, krahasuar me ata që zgjedhin qentë.
Nga ana tjetër, mbështetësit e qenve janë përshkruar si persona mjaft energjikë, komunikues dhe të prirur për t'iu përmbajtur rregullave shoqërore. Në të kundërt, adhuruesit e maceve kanë shfaqur një profil më sovran, kureshtar, krijues dhe më pak të prirur për të ndjekur verbërisht normat apo pritshmëritë e të tjerëve.
Në këtë hulumtim morën pjesë 600 studentë universitarë, prej të cilëve u kërkua të deklaronin preferencën e tyre për kafshët shtëpiake, si dhe të plotësonin pyetësorë mbi personalitetin dhe aftësitë intelektuale. Rreth 60% e pjesëmarrësve u shprehën në favor të qenve, ndërsa vetëm 11% u përcaktuan për macet. Pjesa tjetër e të anketuarve deklaruan se i pëlqenin të dyja llojet e kafshëve ose asnjërën prej tyre.
Ekipi i studiuesve analizoi me kujdes lidhjen mes zgjedhjes së kafshës dhe veçorive individuale, me synimin për të kuptuar nëse njerëzit priren të zgjedhin partnerë shtëpiakë që përputhen me temperamentin e tyre. Rezultatet treguan se adhuruesit e qenve shquhen për shoqërueshmëri, dinamizëm, respektim të detyrimeve dhe ngrohtësi emocionale. Ndërkaq, përkrahësit e maceve dallohen për pavarësi në vendimmarrje, mendim abstrakt, hapje ndaj ideve të reja dhe moskonformizëm.
Kjo tematikë u trajtua gjithashtu në një kërkim të vitit 2017, të realizuar nga studiuesit Andrea D. Guastello, Denise D. Guastello dhe Stephen J. Guastello. Në këtë studim të dytë morën pjesë 418 studentë, nga të cilët 352 preferonin qentë dhe 66 zgjodhën macet, duke përforcuar më tej këto konstatime.
Psikologia Denise Guastello ka sqaruar se këto preferenca lidhen drejtpërdrejt me stilin e jetesës dhe temperamentin e individit. Sipas saj, personat që zgjedhin qentë priren të jenë më aktivë dhe më të shoqërueshëm, sepse mbajtja e një qeni kërkon dalje të përditshme, lëvizje dhe ndërveprim me ambientin rrethues. Përkundazi, individët më introvertë dhe të ndjeshëm preferojnë macet, pasi ato nuk kërkojnë shëtitje jashtë dhe përshtaten natyrshëm me një ambient më të qetë. Sidoqoftë, hulumtuesit nërmendin se gjetjet tregojnë tendenca të përgjithshme dhe nuk nënkuptojnë se çdo adhurues macesh është automatikisht më i mençur se një adhurues qensh.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: