Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Kosova nuk është koletaral i Hagës!

Redaksia Lajmetereja • 15-11-2026 07:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kosova nuk është koletaral i Hagës!
Ligji i imponuar për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë është kthyer mbrapsht nga ana e presidentes Shiroka-Pula për t’u rishqyrtuar në Kuvend. Prej disa ditësh grupet parlamentare diskutojnë, por nuk merren vesh për këtë ligj. Autoritet ndërkombëtare ndërkohë kanë reaguar me kritika ndaj ligjit në fjalë. Mazhoranca është kundër rishqyrtimit dhe miratimit të këtij ligji pa ndryshimet e domozdoshme të rekomanduara nga aleatët europianë të Kosovës. Opozita e Partisë Demokratike e përfaqësuar nga Vlora Çitaku kërkon që ligji të kalojë në parlament pa ndryshime dhe më pas të hyjë në fuqi pa nevojën e një dekretimi të presidentes së Republikës. Janë dy qasje të ndryshme. PDK kërkon të shpëtojë Hashim Thaçin. Mazhoranca kërkon të shpëtojë Kosovën, me qëllim që ajo të mos pengohet në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Eksponentë të Partisë Demokratike dhe jashtë saj kërkojnë që ta lenë Kosovën koletaral të Hagës dhe të ish-presidentit Thaçi. Mazhoranca dhe të tjerë duan që Kosova të jetë e lirë dhe jo peng i interesave partiake e personale. Ta miratosh ligjin në fjalë ashtu siç është hartuar, duke imponuar ndryshimin e raporteve të brendshme e të jashtme me Gjykatën Speciale të Hagë, do të thotë të dëmtosh interesat e Kosovës. Thënë shkurt, do të thotë që Kosovën ta vendosësh në hipotekë për llogari të Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit në Gjykatën Speciale të Hagës. Ngutja që u bë në ditët e fundit para zgjedhjes së presidentes për ta hartuar dhe miratuar këtë ligj ishte një foshnjëri politike e atyre që e inicuan dhe imponuan atë ligj. Hartuesit e tij nuk menduan asnjë çast për Kosovën, por u përfshinë në emocionet e vendimit drastik të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër katër ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. E çudittshme është se shumë prej tyre janë të përfshirë me emocione të tilla edhe pas kaq kohësh, pavarësisht se shumçka është bërë e qartë për ndikimet e këtij ligji. Atëherë lind një pyetje normale: - Pse duhet që eksponentët e opozitës të këmbngulin në miratimin e ligjit pa ndryshime dhe korrigjime të rëndësishme, kur ata tashmë janë informuar se nëse ky ligj kalon kështu siç është, ia mbyll dyert Kosovës për integrime euro-atlantike?! Nuk është çudi që disa liderë opozitarë të duan të vendosen sanksione kundër Kosovës dhe më pas të akuzojnë Albin Kurtin për këto sanksione. E kanë bërë dhe herë të tjera, psh në vitin 2023. Ka shumë të ngjarë se eksponentë të opozitës të kenë në shënjestër luftën politike kundër mazhorancës pas shpërfaqjes së pasojave të miratimit të këtij ligji. Kjo psikologji e ky mentalitet është mesa duket panshqiptar. Kundërshtarët politikë në Shqipëri, por tani edhe në Kosovë, e kërkojnë suksesin e tyre nga pengesat që i vendosin vendit të tyre për suksesin politik, diplomatik, ekonomik e në fusha të tjera. Të verbohesh nga interesi personal dhe partiak për të rrënuar interesat e vendit, të cilit ti i përket, është më shumë se idotësi. Megjithatë idiotët ndër ne nuk janë të paktë. Secili bëhet njëherë në jetë idoit, ndërsa e kam fjalën për idiotët funksionalë. Kosova thjesht duhet të ligjësojë angazhimin e saj për të lehtësuar dhe favorizuar fitoren e katër të dënuarve të Hagës në Gjykatën e Apelit. Ajo nuk e ka komoditetin e nevojshëm që të bllokojë dhe kushtëzojë veprimtarinë e kësaj gjykate, siç thuhet në ligjin aktual. Çdo ndërhyrje për të ndryshuar rregullat, proçedurat, kushtet e veprimtarisë së Gjykatës Speciale të Hagës në fund të procesit gjyqësor është jo vetëm i pavlerë, por edhe i pandershëm. Prandaj dhe është legjitim reagimi i Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe, të cilat financojnë dhe kujdesen për mbarëvajtjen e pavarësinë e Gjykatës në fjalë. Çdo tentativë për ta vënë Kosovën si koletaral në funksion të Gjykatës Speciale në Hagë është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ata që vendosin fatin e katër apo edhe 14 personave mbi fatin e Kosovës, ata ose janë lehtësisht të manipulueshëm, ose kanë për qëllim të godasin interesat e vendit. Kosova nuk është dhe nuk mund të vihet në rrezik për asnjë arsye dhe për fatin e askujt! Kosova është një dhe e pandarë. Eshtë epiqendra e interesit tonë kombëtar, së paku derisa ajo të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, para së gjithash NATO dhe Bashkimi Europian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar