Aktuale
Bosnja ndalet në Stokholm, rikthimi i fuqishëm nuk mjafton përballë Suedisë
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës ka pësuar disfatë me rezultat 3:2 në udhëtimin e saj ndaj Suedisë, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës B të Kombeve. Ndonëse treguan një lojë mjaft të zbehtë në pjesën e parë, mysafirët shfaqën karakter në pjesën e dytë duke tentuar një rikthim të madh, i cili megjithatë mbeti i papërfunduar.
Suedezët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi qysh në minutën e pestë. Pas një gabimi në mesfushë të boshnjakëve, Anthony Elanga dërgoi një krosim preciz për Daniel Svenssonin, i cili me një goditje të saktë me kokë zhbllokoi rezultatin. Bosnja u përpoq të kundërpërgjigjej shpejt, por tentimi i Haris Tabakoviqit u neutralizua nga portieri vendas.
Dominimi i Suedisë u konkretizua edhe më tej në minutën e 11-të. Pas një ndërhyrjeje të palejuar të Stjepan Radeljiqit ndaj Viktor Gyokeresit, gjyqtari akordoi penallti, të cilën e shndërroi në gol vetë Gyokeres. Përpara se skuadrat të shkonin në pushim, Suedia fitoi edhe një penallti tjetër pas një ndërhyrjeje të Sead Kollashinacit ndaj Svenssonit, me Gyokeresin që u tregua sërish i pagabueshëm për ta çuar rezultatin në 3:0.
Me të filluar pjesa e dytë, Bosnja ndryshoi totalisht qasjen në lojë. Në minutën e 47-të, pas një harkimi të Ermin Mahmiqit, Armin Gigoviq shënoi për 3:1, duke rikthyer shpresat e skuadrës së tij. Ky gol motivoi boshnjakët të vazhdonin presionin, duke krijuar raste të njëpasnjëshme me Ermedin Demiroviqin dhe Kerim Allajbegoviqin, por portieri suedez Johansson ishte në nivelin e detyrës.
Në minutën e 62-të, Bosnja arriti ta ngushtojë epërsinë në 3:2, falë golit të parë të Sead Kollashinacit me fanellën e përfaqësueses, pas asistimit të Allajbegoviqit nga goditja e këndit. Vendasit u vunë nën presion të madh, ndërsa mundësia më e mirë për barazim erdhi në minutën e 85-të, kur goditja me kokë e Memiqit u ndal me vështirësi nga Johanssoni. Tentativat e fundit të mysafirëve, përfshirë ato të Allajbegoviqit dhe Kollashinacit në shtesë, nuk ndryshuan rezultatin final.
Me këtë fitore, Suedia siguroi kreun e grupit të 4-t me 13 pikë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina mbetet në vendin e dytë me 8 pikë dhe tashmë do të kërkojë inkuadrimin në Ligën A përmes ndeshjeve të barazhit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: