Sport
Bilanci pozitiv dhe sfida e madhe: Kosova synon triumfin ndaj Izraelit për të siguruar vendin e dytë
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Kosovës do të masë forcat me Izraelin në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kombeve, duke u pozicionuar në Grupin B3.
"Dardanët" janë përballur me izraelitët edhe dy herë të tjera më parë, në kuadër të fushatës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024. Në të dyja ato sfida, kombëtarja kosovare ka dalë e pamposhtur.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Izrael, sfida u mbyll me barazimin 1-1. Kosova gjeti golin falë një autogoli të Dasas, ku meritë të veçantë pati sulmuesi Milot Rashica.
Ndërkohë, në takimin e kthimit të luajtur në Prishtinë, Kosova triumfojë minimalisht 1-0, ku hero i fitores u bë sërish Milot Rashica me golin e tij.
Kanë kaluar fiks tri vite e dy ditë nga ajo përballje e zjarrtë në stadiumin "Fadil Vokrri", dhe sot skuadrat zbarkojnë sërish në fushë, por kësaj radhe me një kontekst krejtësisht ndryshe.
Krahasuar me të kaluarën, të dyja kombëtaret kanë pësuar ndryshime në përbërje, ndërsa "Dardanët" kanë kaluar në një fazë rinovimi të thellë të skuadrës, pa llogaritur faktin se rëndësia e këtij dueli është shumë më e lartë.
Për Kosovën, tri pikët janë një mision i detyrueshëm, pasi një fitore e mundshme sot do t'i afronte shumë sigurimit të vendit të dytë. Ky pozicion do t'i siguronte asaj potin e dytë për shortin e kualifikimeve të rregullta për Euro 2028, si dhe një vend në play-off të Ligës A.
Në krahun tjetër, një humbje e mundshme për Izraelin do të sillte rënien dhe eliminimin e tyre në Ligën C.
Të dyja skuadrat do të futen në këtë përballje me mungesa të rëndësishme. "Dardanët" do të luajnë pa dyshen e qendrës së mbrojtjes, të përbërë nga Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari.
Ndërkaq, Izraeli do të jetë pa mbrojtësin e majtë Roy Revivo, ndërsa në listën përfundimtare të dorëzuar në UEFA nga selektori Ran Ben Simon, nuk figuron as ylli kryesor i skuadrës, Manor Solomon.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: