Sport
Media gjermane për lojtarin shqiptar që debutoi ndaj Serbisë: Realizon pas një aksioni individual
Reklamë e Sponsorizuar
Futbollisti shqiptar, Brajan Gruda, ka shënuar sonte golin e parë me fanellën e Gjermanisë.
Gruda realizoi në minutën e 50-të, pas një aksioni individual, duke goditur nga rreth 17 metra në këndin e poshtëm të majtë të portës, në fitoren 3:1 të Gjermanisë ndaj Serbisë në Beograd.
Paraqitja dhe goli i futbollistit shqiptar janë veçuar edhe nga mediumi i njohur gjerman “Kicker”, në raportimin e tij për këtë ndeshje.
“Përballë Serbisë së dobët, Gjermania e kryen detyrën me autoritet!
Kombëtarja e Gjermanisë ka shënuar fitore me rezultat 3:1 në udhëtim ndaj Serbisë, duke mbetur në garë për kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve.
Skuadra gjermane ishte dukshëm më e mirë që nga fillimi i ndeshjes, e zhvilluar në Beograd.Te Serbia mungonte trajneri kryesor Veljko Paunoviq, i cili ishte i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë. Në vend të tij skuadrën e drejtoi ndihmëstrajneri Nuno Gomes, i cili bëri katër ndryshime në formacion krahasuar me humbjen 1:2 ndaj Holandës.
Gjermania gjithashtu bëri disa ndryshime në formacionin titullar në krahasim me barazimin 0:0 ndaj Greqisë.
Mes lojtarëve që u rikthyen në formacion ishin ter Stegen, Kimmich dhe Havertz, ndërsa Brajan Gruda debutoi me kombëtaren gjermane.
Gjermania dominon, Havertz dhe Tah humbin raste
Kombëtarja gjermane e nisi ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer dhe kaloi në epërsi që në minutën e tretë. Pas një goditjeje nga këndi, Havertz goditi me kokë, por topi përfundoi te mbrojtësi serb Babiq, i cili pa dashje e dërgoi në rrjetën e portës së tij.
Edhe më pas Gjermania vazhdoi të dominonte, ndërsa Serbia shfaqi pasiguri në repartin defensiv.
Në minutën e 14-të erdhi edhe goli i dytë. Pas humbjes së topit nga Samarxhiq, Pavlloviq asistoi për Havertzin, goditjen e të cilit fillimisht e ndali portieri Milinkoviq-Saviq. Topi përfundoi te Florian Wirtz, i cili e paraboloi portierin e rrëzuar dhe shënoi nga afërsia.
Gjermanët patën edhe mundësi të tjera për të shënuar, përmes Havertz dhe Tah, por pjesa e parë përfundoi me epërsinë 2:0.
Në fillim të pjesës së dytë, Serbia bëri dy zëvendësime, duke aktivizuar Zhivkoviqin dhe Dragojeviqin.Megjithatë, Gjermania shfrytëzoi hapësirat e krijuara dhe në minutën e 50-të shënoi golin e tretë.Brajan Gruda realizoi pas një aksioni individual, duke përshkuar një pjesë të madhe të fushës dhe duke e mposhtur portierin serb Milinkoviq-Saviq.
Ky ishte goli i parë i futbollistit të Leipzigut me fanellën e kombëtaren e Gjermanisë.
Serbia arriti të shënonte golin e nderit në minutën e 56-të. Pas një situate nga goditja standarde, ter Stegen fillimisht e ndali goditjen e Gudeljit, por Babiq shënoi nga topi i kthyer.
Në vazhdim të ndeshjes nuk pati shumë raste të rrezikshme. Scherhant goditi shtyllën e jashtme në minutën e 70-të, ndërsa Mitroviq u ndal nga portieri ter Stegen dy minuta më vonë.
Në minutën e 74-të, Dragojeviq u detyrua të largohej nga loja pas një ndërhyrjeje të ashpër në zonën e kyçit të këmbës së Kimmichut.
Në fund të takimit, Zhivkoviq u ndëshkua me karton të verdhë dhe menjëherë më pas me karton të kuq, për protesta ndaj gjyqtarit.
Gjermania kërkon fitoren ndaj Holandës
Në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, Serbia do të përballet të hënën me Greqinë, në orën 20:45.Në të njëjtën kohë, Gjermania do të luajë në Berlin kundër Holandës, në një përballje vendimtare për kualifikimin në çerekfinale.
Për të siguruar kalimin tutje, Gjermanisë i nevojitet fitorja”,shkruan media gjermane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: