Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Bardhi asiston, por nuk i mjafton Maqedonisë së Veriut në Skoci

Redaksia Lajmetereja • 13-11-2026 22:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Bardhi asiston, por nuk i mjafton Maqedonisë së Veriut në Skoci
Maqedonia e Veriut ka pësuar humbje me rezultat 2:1 nga Skocia, në ndeshjen e xhiros së pestë të Ligës B të Kombeve. Kapiteni Enis Bardhi, Visar Musliu dhe Ezgjan Alioski e nisën ndeshjen nga minuta e parë, ndërsa Agon Elezi u inkuadrua në lojë në minutën e 64-të. McTominay rrezikoi disa herë në pjesën e parë Ndeshja nisi me një tentim të Dorievit, i cili gjuajti pranë portës skoceze. Më pas, vendasit morën iniciativën dhe filluan të rrezikonin portën e Dimitrievskit. Scott McTominay pati rastin e parë të mirë, kur pranoi topin në zonë, fitoi duelin me Mladenovskin dhe gjuajti fuqishëm, por portieri Dimitrievski reagoi shkëlqyeshëm. Pas rreth gjysmë ore lojë, Adams goditi me kokë, ndërsa Doriev devijoi topin në drejtim të portës së tij. Sërish, Dimitrievski ishte në vendin e duhur. McTominay provoi edhe me një goditje akrobatike, ndërsa më pas humbi një rast të pastër shënimi, kur doli i vetëm përballë portierit maqedonas. Rastin më të mirë Maqedonia e Veriut e pati në fund të pjesës së parë. Elmas asistoi bukur për Churlinovin, i cili pasoi te Enis Bardhi, por goditja e kapitenit përfundoi jashtë portës. McGinn ndëshkon gabimin e mysafirëve Në fillim të pjesës së dytë, Maqedonia e Veriut bëri një tjetër gabim në mbrojtje. Alioski dhe Musliu nuk u morën vesh siç duhet, ndërsa Adams përfitoi dhe pasoi te Gilmour. Ky i fundit, nga vetëm pesë metra dhe përballë portës së zbrazët, nuk arriti të shënonte. Megjithatë, në minutën e 54-t, Skocia kaloi në epërsi. Pas një topi të larguar nga zona, futbollistët maqedonas nuk arritën ta kontrollonin siç duhet. Elmas dhe Musliu gabuan, ndërsa McGinn përfitoi dhe shënoi për 1:0. Rastoder i jep fund pritjes së gjatë për gol Përgjigjja e Maqedonisë së Veriut ishte e menjëhershme. Menjëherë pas rinisjes së lojës nga qendra, mysafirët fituan një goditje nga këndi dhe arritën të barazonin rezultatin. Kapiteni Enis Bardhi, në minutën e 57-të, harkoi në mënyrë të shkëlqyeshme në shtyllën e parë, ku Elmin Rastoder u gjend në vendin e duhur dhe, me një goditje të bukur, e dërgoi topin në rrjetë për 1:1. Ky ishte goli i parë i Rastoderit me fanellën e Maqedonisë së Veriut, por edhe një realizim shumë i rëndësishëm për përfaqësuesen, e cila kishte kaluar një periudhë të gjatë pa shënuar. Nën drejtimin e Goce Sedlloskit, Maqedonia e Veriut kishte kaluar 777 minuta pa realizuar gol, ndërsa në total pritja kishte arritur në 844 minuta. VAR-i akordon penallti, McGinn vulos fitoren Kur dukej se Maqedonia e Veriut mund të largohej me një rezultat pozitiv, erdhi momenti vendimtar i ndeshjes. Gannon Doak u përball me portierin Dimitrievski në një duel brenda zonës. Fillimisht, gjyqtari nuk akordoi penallti, por pas rishikimit të situatës përmes VAR-it, vendosi të tregonte pikën e bardhë. Vendimi u mor pas rreth dy minutash pritjeje, duke i dhënë Skocisë mundësinë të rikthehej në epërsi. Nga pika e bardhë u tregua i saktë McGinn, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të fitores për Skocinë, duke vulosur rezultatin 2:1 në minutën e 74-t. Me këtë fitore, Skocia ngjitet në pozitën e tretë me 7 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet me 0 pikë në Grupin 1.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar