Politikë
Gashi thërret në dialog për zhbllokimin e Kuvendit: Çështjet procedurale zgjidhen me koordinim
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka bërë thirrje për një qasje konstruktive dhe dialog të hapur për të kapërcyer bllokadën e krijuar në punimet parlamentare. Duke iu përgjigjur vërejtjeve të opozitës lidhur me seancën e 130-të, ku ishte paraparë parashtrimi i pyetjeve të deputetëve, Gashi theksoi se interpretimet e ndryshme të Rregullores së Punës nuk duhet të shndërrohen në pengesa të pazgjidhshme.
“Nuk ka problem që nuk mund të gjejë zgjidhje përmes komunikimit. Synimi ynë është të shmangim krijimin e precedentëve të dëmshëm dhe të ecim përpara përmes një koordinimi të përbashkët. I ftoj të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare që të hënën të ulemi dhe të dakordohemi për rrjedhën e mëtutjeshme të seancave”, deklaroi Gashi, ndërsa njoftoi pauzën 30-minutëshe për të mundësuar një konsultim të tillë.
Nga ana tjetër, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, ka shprehur qëndrim kritik, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të Rregullores dhe praktikave parlamentare mosmbajtjen e seancës për pyetjet e deputetëve. Ai kërkoi ndërprerjen e seancës së 129-të dhe fokusimin e plotë tek arritja e një konsensusi në takimin e paralajmëruar për të hënën.
Ndërkohë, debatet në seancën e 129-të u përshkallëzuan edhe nga reagimet e deputetëve të BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, kritikoi ashpër kryeparlamentarin Gashi për ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që prioritet t'i jepet pikës së gjashtë, e cila ka të bëjë me ratifikimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Shqipërisë për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare, në vend të kalimit direkt në pikën e 12-të që lidhet me ndryshimet në Ligjin për Prokurimet Publike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: