Aktuale
Mashtrim me përbërësit: AUV bllokon 178 kilogramë suxhuk pas zbulimit të ADN-së së pulës
Reklamë e Sponsorizuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa urgjente duke bllokuar 178 kilogramë produkte mishi, përkatësisht 120 kg suxhuk të llojit “Kalorik” dhe 58 kg suxhuk shtëpiak. Krahas bllokimit të sasisë, autoritetet kanë urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të prodhimit dhe tërheqjen e këtyre produkteve nga të gjitha pikat e shitjes.
Ky veprim erdhi pas kontrolleve zyrtare për sigurinë dhe autenticitetin e produkteve ushqimore, ku u konstatua se produkti “Suxhuk shtëpiak” i prodhuesit “BUQUKU SH.P.K.” nga Peja, përmbante ADN të pulës, pavarësisht se në deklaracionin zyrtar të produktit ishte shënuar se përbëhej vetëm nga mishi dhe yndyra e lopës.
Mostrat e marra nga inspektorët e AUV-së u dërguan për analiza laboratorike në institucionin “Alimenti-Omnilab” në Bullgari. Rezultatet e testimeve konfirmuan zyrtarisht praninë e ADN-së së gjedhit, por edhe atë të pulës, duke ngritur dyshime të forta për përdorimin e përbërësve të padeklaruar, përfshirë mundësinë e përdorimit të mishit të pulës të ndarë mekanikisht (MDM).
Në njoftimin e AUV-së sqarohet se, ndonëse analiza konfirmon prezencën e ADN-së së pulës, mbetet të sqarohet sasia dhe burimi i saktë i këtij materiali. Verifikimet e mëtejshme do të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për përdorim të mishit të ndarë mekanikisht apo ndonjë përbërës tjetër.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i mishit të ndarë mekanikisht në produkte tradicionale kërkon monitorim të shtuar. Ky proces, përveçse ndikon në strukturën e mishit, mund të rrisë rrezikun e kontaminimit dhe zhvillimit të mikroorganizmave, sidomos nëse nuk respektohen në përpikëri standardet e higjienës, ruajtjes dhe përpunimit gjatë gjithë ciklit të prodhimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: