Politikë
Mickoski sqaron modelin e ri të provimit të jurisprudencës: Pjesa teorike në gjuhë të tjera, ajo praktike vetëm në maqedonisht
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka dhënë detaje rreth zgjidhjes së re ligjore për provimin e jurisprudencës, e cila ndahet në dy faza të veçanta. Sipas tij, pjesa teorike do t'u mundësohet kandidatëve që të jepet në gjuhën shqipe, turqisht ose anglisht, ndërsa ajo praktike do të zhvillohet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, kreu i ekzekutivit sqaroi se nuk ekziston një provim jurisprudence që jepet në tërësi në gjuhën shqipe. Në bazë të propozimit që i është dërguar Komisionit të Venedikut, faza e parë përfshin pyetje teorike nga cikli i studimeve universitare, ku kandidatët që janë diplomuar në gjuhë të tjera përveç asaj maqedonase do të kenë mundësinë të zgjedhin gjuhën në të cilën do t'i përgjigjen kësaj pjese.
Në anën tjetër, faza e dytë konsiston në simulimin e dy seancave gjyqësore, përkatësisht një penale dhe një civile, të cilat do të mbahen vetëm në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik. Mickoski theksoi se ky model mbështetet në interpretimin që Komisioni i Venedikut i ka bërë Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke u nisur nga parimi se i gjithë sistemi i drejtësisë operon përmes një gjuhe të përbashkët zyrtare.
Gjatë prononcimit të tij, kryeministri u ndal edhe te ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Penal, duke bërë të ditur se ato do të zgjasin afatet e parashkrimit për veprat penale, por pa pasur fuqi prapavepruese.
Sipas kreut të Qeverisë, propozimi i dorëzuar në Komisionin Evropian synon të riparojë dëmet e shkaktuara nga administrata e mëparshme, e cila sipas tij kishte për qëllim t'i hapte rrugë një amnistie për t'i shërbyer ndryshimeve kushtetuese.
“Këto ndryshime janë për tani e tutje. Nuk mund të vlejnë për të kaluarën. Gjithmonë kur do të dëgjoni nga BDI-ja dhe LSDM-ja se janë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, janë pikërisht ata që i dhanë goditjen sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kur në flasim për sundim të ligjit, dijeni se ishim ne ata që i dërguam në Bruksel këto dy ligje që do të vlejnë për këtë Qeveri”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: